Ministria e Arsimit e bën me fushë sportive shkollën e fshatit Arllat, në Drenas

Ministria e Arsimit e bën me fushë sportive shkollën e fshatit Arllat, në Drenas

Me rastin e 49 vjetorit të themelimit të shkollës fillore “Mehdi dhe Sylejman Bytyqi” në fshatin Arllat të Drenasit, Ministria e Arsimit ka pajisur me fushë sportive këtë shkollë.

Përurimin e kësaj palestre e bëri ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi i cili bashkëvendësve të tij u tha se shumë shpejt kjo shkollë do pajiset me banka shkollore të reja dhe do ngriten bustet e dy dëshmorëve Mehdi e Sylejman Bytyqi.

Ministri i Arsimit i cili ishte nxënës i kësaj shkolle shpalosi para të pranishmëve edhe disa kujtime që kishte me dëshmorët Mehdi dhe Sylejman Bytyqin.

“Një mesazh i veçantë shkon edhe për mësimdhënësit tanë që janë në këtë shkollë që vërtetë të kontribuojnë në përtej punës se zakonshme sepse e kanë të zgjedhur një profesion tejet të veçantë të shenjtë një profesion që është profesioni i mësimdhënësit dhe e kanë obligim që të angazhohen në maksimum për përgatitjen e edukimit dhe arsimimit të nxënësve tanë. Sepse do e sigurojnë jo vetëm të ardhmen e nxënësve tanë por do ta sigurojnë edhe të ardhmen e vendit tonë dhe fshatit tonë…. Sot e kemi fatin që ta përurojmë një fushë sportive që është e përmasave më të mira po ashtu edhe oborri i shkollës që ka marr një pamje krejt tjetër”, tha ministri Bytyqi.

Nënkryetari i komunës së Drenasit, Gani Syla tha se kjo shkollë mban emrat e dy dëshmorëve që ranë për liri të Kosovës.

Ai tha se amaneti i dëshmorëve shkon në vend vetëm duke mësuar dhe e ndërtuar shtetin e Kosovës.

“Rënia e tyre heroike ka bërë që ne sot të jemi të lirë dhe ta gëzojmë lirinë dhe ata dhanë jetën në momentin e duhur për mbrojtjen e duhur të Kosovës. Ne sot duhet që me mësim të tregohemi që amanetin e tyre ta qojmë deri në fund “, u shpreh Syla.

Drejtori i shkollës “Mehdi e Sylejman Bytyqi”, Bejzë Bytyqi tha se nga kjo shkollë kanë dalë kuadro që udhëheqin institucione të rëndësishme të Kosovës.

Si sfidë për këtë shkollë ai tha se ka qenë mungesa e infrastrukturës.

“Shkolla natyrisht që është përballur me sfida dhe me vështirësi kryesisht të infrastrukturës, por në dy vitet e fundit janë bërë investime të mëdha në rregull të ambienteve”, tha Bytyqi.

Dita e shkollës fillore të Arllatit që mban emrin e dy dëshmorëve “Mehdi dhe Sylejman Bytyqi”, u shënua edhe me program artistik, me ç ‘rast u ndan mirënjohje për ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqin dhe kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin. /KP/Telegrafi/

TAGS