Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, tha se me reformat e ndërmarra është vendosur mbikëqyrje e domosdoshme e funksionimit të sistemit AKMIS. Për hetimin e keqpërdorimit të këtij sistemi, ajo tha se po e presin Raportin nga Prokuroria dhe i porositi qytetarët që kanë dyshime se lënda e tyre është shpërndarë në mënyrë joligjore, të drejtohen në gjykata.
“Dërguam kërkesë deri te Prokuroria prej ku na dërguan listë me hapat që i kanë bërë. Mos prisni çudira gjatë natës, asnjë procedurë hetimore dhe asnjë procedurë gjyqësore nuk përfundon shpejt. Ka qytetarë që janë drejtuar deri Ministria e drejtësisë. Duhet të merret parasysh fakti se Komisioni kur bën kontroll, nuk shqyrton lëndë konkrete, por e shqyrton funksionimin e sistemit në përgjithësi. Ne si Ministri nuk kemi në dispozicion të dhëna se cilat lëndë janë shpërndara me dorë dhe i dërgojmë përsëri deri te kryetarët e gjykatave”, deklaroi Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.
Daniella Paletin, oficere politike në ambasadën e SHBA-ve, tha se Komisioni Evropian në raportin e fundit ka cekur se Ministria e drejtësisë duhet të sigurojë funksionim të pavarur të sistemit AKMIS.
“Të drejtën për proces gjyqësor nga gjykata e paanshme dhe e pavarur e garanton Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut. Garanci e rëndësishme për pavarësinë e gjyqësisë është procesi i shpërndarjes elektronike të lëndëve ndërmjet gjykatësve. Përforcimi i sistemit AKMIS është njëri prej hapave kryesore për ndërtimin e gjyqësisë transparente që e gëzon besimin e qytetarëve”, theksoi Dajana Paletin nga Ambasada e SHBA.
Sistemi AKMIS për herë të parë filloi të shfrytëzohet në vitin 2006, me qëllim që të parandalohet keqpërdorimi dhe kurdisja e disa proceseve gjyqësore. Megjithatë rezultatet e para nga kontrolli i punës në Gjykatën Penale, tregoi se në periudhën e mëparshme, 860 lëndë gjyqësore nuk kanë hyrë fare në sistemin AKMIS për shpërndarje automatike, ndërsa keqpërdorime dhe kurdisje të lëndëve ka pasur edhe në Gjykatën Supreme.