Ministria e Shëndetësisë thotë se është e përkushtuar për rritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka reaguar ndaj grevës së punëtorëve shëndetësorë të QKUK-së të thirrur nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës si dhe kërkesat dhe shqetësimet e ngrituara nga ana e profesionistëve shëndetësorë.

Në komunikatë thuhet se “Ministria e Shëndetësisë ka qenë e përkushtuar dhe ka punuar bashkë me FSSH-në që në kuadër të Projektligjit për pagat në sektorin publik në Kosovë, të përfaqësojë dhe adresojë kërkesat për rritje të pagave në nivelin që profesionistët shëndetësor e meritojnë, duke e argumentuar pse duhet që punëtorët shëndetësor të trajtohen në mënyrë shumë më të dinjitetshme se deri tani”, përcjell Telegrafi.

Më tej thuhet se Ministria e Shëndetësisë qëndron prapa këtyre kërkesave dhe argumenteve të prezantuara në Qeveri dhe në Projektligjin për pagat dhe beson që përgjigja për to do të jetë pozitive nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit, me qëllim që sistemit shëndetësor t’i jepet shtytje në reformën e tij, ndërsa profesionistit shëndetësor vendi i merituar brenda këtij sistemi dhe shoqërisë në përgjithësi.

“Ne mbesim të përkushtuar që të punojmë të gjithë së bashku për ta tejkaluar këtë situatë, në mënyrë që të mos dëmtohen pacientët tanë për të marrë shërbimet e nevojshme shëndetësore”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

TAGS