Ministria e Shëndetësisë tregon se sa dënime janë shqiptuar gjatë vitit 2018, për shkelësit e ligjit të duhanit

Ministria e Shëndetësisë tregon se sa dënime janë shqiptuar gjatë vitit 2018, për shkelësit e ligjit të duhanit

Janë bërë shtatë vite që kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin e duhanit, ligj ky i cili bën kufizimin dhe ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike.

Nga Ministria e Shëndetësisë  për Telegrafin thonë se miratimi i këtij ligji ka pasur efekte pozitive, dhe se ka krijuar ambiente ku nuk konsumohet aspak duhani.

“Si politikë për mbrojtjen e shëndetit publik nga pasojat shëndetësore, sociale, financiare dhe mjedisore i ka pasur efektet pozitive, sepse ka krijuar ambiente 100% të liruara nga duhan pirja, ka rrit dukshëm njohuritë për efektet negative te duhan-pirjes, ka ulur konsumin e duhanit në mesin e të rinjve dhe ka ndaluar plotësisht reklamimin e duhanit dhe produkteve të tij”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë për Telegrafin.

Përkundër ligjit i cilit ka hyrë në fuqi që nga 22 maji 2013, ende ka persona që nuk e respektojnë këtë ligj, për këtë Ministria e Shëndetësisë ka tetë inspektorate dhe agjensione të cilat bëjnë monitorim e kësaj.

Ato janë:

Inspektorati Sanitar -AUVK (mbikëqyr kryesisht sektorin e gastronomisë, kafe baret, restorantet, hotelet, bizneset e ndryshme…)

Inspektorati Shëndetësor (mbikëqyr zbatimin e ligjit në institucionet shëndetësore)

Inspektorati i Arsimit ( institucionet arsimore të gjitha niveleve)

Inspektorati i Punës (Mbikëqyr zbatimin e ligjit në institucione ku zhvillohet aktivitet-punë si administrata shtetërore dhe bizneset e ndryshme)

Inspektorati i Tregtisë (mbikëqyr zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit rreth aspekteve të shitjes së duhanit dhe produkteve të tij)

Policia e Kosovës ( u asiston inspektorateve gjatë inspektimeve dhe gjithashtu ka të drejtën të shqiptojë edhe vet dënime)

Inspektorati i Transportit (mbikëqyr zbatimin e ligjit në mjetet e transportit publik) dhe

Agjensioni Kundër Korrupsionit ( që mbikëqyr ndërveprimin eventual midis industrisë së duhanit dhe institucioneve publike në kuptim që të mos lejojë korruptimin e zyrtarëve publikë në favor të interesave të industrisë së duhanit.

Ministria e Shëndetësisë e cila është përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e këtij ligji në institucione shëndetësore, gjatë vitit 2018 ka shqiptuar disa dënime për ata që nuk e kanë respektuar ligjin.

“Inspektorati Shëndetësor ka shqiptuar dënime për institucionet shëndetësore në vlerë prej 16.500 eurove, duke dënuar 13 menaxherë të institucionesh dhe 4 institucione shëndetësore në dënime në vlera prej 500-3000 euro.

Inspektorati Sanitar që është në kuadër të AUVK-së, prej 2013-2018 ka kryer mbi 7000 inspektime dhe ka shqiptuar mbi 500 dënime për subjektet në vlera prej 500-3000 euro dhe mbi 200 dënime mandatare në vlera prej 50 euro”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.

Ndërsa Policia e Kosovës vetëm në 2 vitet e para të zbatimit të Ligjit ka shqiptuar rreth 260 dënime mandatare për persona fizik në vlera nga 50 euro.

Ligji i Duhanit ishte votuar me 71 për, 2 abstenime dhe asnjë votë kundër, ligji ndalon pirjen e duhanit 100 për qind në hapësira publike, hapësira të punës, mjetet e transportit publik./Telegrafi/

TAGS