Miratohet Ligji për amnisti, 95 deputetë votuan “për”

Me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur Kuvendi miratoi Ligjin për amnistinë e 27 prillit. Ligji u mbështet edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE-së edhe pse amendamenti i tyre për amnisti të përgjithshme nuk u pranua. Ligji nuk u mbështet nga Aleanca për Shqiptaret. Kreu i kësaj partie Ziadin Sela miratimin e Ligjit për Amnisti e cilësoi si vrasje të dytë ndërsa ata që e mbështetën i quajti keqbërës.

Më 27 prill unë u vrava personalisht dhe i mbijetova. Sot po vritem përsëri, fatkeqësisht nga një numër i madh deputetësh të cilët me votën e tyre vendosën që përvec individualisht të vrasin edhe shpresën e qytetarëve për drejtësi. E mira është që sot keqbërësit mund të shihen të gjithë me butonin që votuan për, ndërsa keqbërësit akoma më të madh i ke si propozues të ligjit për amnisti dhe mirë është që opinioni ti dijë me emër dhe mbiemër”- deklaroi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Ligji nuk do t’i përfshij dhunuesit dhe organizatorët e dhunës me 27 prill në Kuvend. Deputetja Frosina Remenski thekson se ligji nuk synon rikualifikimin e veprës dhe nëse pranohet ose jo amnistia për secilin të akuzuar vendos gjykata.

U bazuam në kornizat e asaj se çfarë nuk do të mund të amnistohet. Kjo ishte baza mbi të cilën punuam. Në amnisti nuk përfshihen organizatorët dhe skenaristët e ngjarjeve të 27 prillit, për të gjithë ata që ka dyshime të bazuara apo bazë për dyshime, ata të cilët kryen dhunë fizike përfshi edhe personat me maska, personat me armë dhe mjete eksplozive dhe personat zyrtarë që kanë shkelur kompetencat e tyre”- tha Frosina Remenski, deputete e LSDM-së.

Ligji për amnistinë e 27 prillit parasheh që çdo i akuzuar veçmas të kërkoj amnisti në afat prej 5 ditëve pas fuqizimit të ligjit. Nuk dihet sa persona do t’i përfshij ky ligj, por ajo që dihet është se deputetët që hapën dyert e Kuvendit më 27 prill Kërste Mukovski, Sasho Vasilevski dhe Luben Arnaudov do të lirohen nga ndjekja penale për cenim terrorist të rendit kushtetues.

Adrian Kerimi

Loading…

TAGS