Misteri i vrasjes së 11-vjeçarit, familja thotë se ai u dhunua seksualisht nga një 20-vjeçar

Misteri i vrasjes së 11-vjeçarit, familja thotë se ai u dhunua seksualisht nga një 20-vjeçar

Të enjten e 11 korrikut, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen ‘Xhemail Mustafa’ të Fushës Kosovës, u gjet i vdekur K.Veseli 11 vjeç. Ai, sipas familjes, dyshohet se u dhunua seksualisht dhe pastaj u vra nga një person derisa po kërkonte kanaçe në rrugët e këtij qyteti. Familja po e akuzon një person për vdekjen e djalit të tyre. Ndërkohë i dyshuari sipas fqinjëve është një person me të kaluar problematike, rreth të 20-ve. Express  sjell rrëfimin e dhimbshëm nga familja, dëshmitarët, fqinjët e policia rreth vdekjes së 11-vjeçarit.

Gentiana HASANI

“M’i bëj gati teshat për xhuma. Këtë të premte kemi me kërkua para përballë xhamisë”, kjo kishte qenë kërkesa e fundit me të cilën K.Veseli, 11 vjeç, nga Fushë Kosova, të mërkurën i ishte drejtuar nënës së tij, Makfire Ilazi-Veselit.

Nëna e 11-vjecarit të ndjerë

Por, ato rroba, 11-vjeçari nuk mundi që t’i veshë asnjëherë. Ai u gjet pa shenja jete në pasditen e së enjtes së 11 korrikut poshtë disa shkallëve të një ndërtese kolektive në rrugën ‘Xhemail Mustafa’, në Fushë Kosovë. Në trupin e K.Veselit kishte shenja dhune, të cilat kishin qenë më të theksuara në pjesën e kokës.

Gazeta Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në familjen e 11-vjeçarit i cili u gjet i vdekur.

Nëna e tij, Makfire Ilazi, ka dhënë detaje të frikshme rreth mënyrës se si i vdiq djali.

Makfire Ilazi-Veseli shpjegon kontaktin e fundit me të birin

Ajo dyshon se i biri iu maltretua nga një person jo shumë më i madh se djali i saj. Thotë se djali, K.Veseli i ishte ankuar disa herë se po abuzohej fizikisht, psikikisht e seksualisht nga një person tjetër i komunitetit rom. Për këto ankesa të së birit, Makfirja i ka thënë gazetës se është ankuar edhe në policinë e Kosovës.

“Djali me do shokë ka pas problem. Një djalë, aj shumë e ngucke, kur dilte nëpër kanta ai e ngucke. Djali gjithë më qajke. ‘Kamë frikë oj nanë prej një djali’, më thoshte. Djali nuk e di, gjithë ka qajtë prej atij”, rrëfen me lot në sy për djalin e vdekur nëna Makfire.

Ajo ka treguar se djali, tashmë i ndjeri 11-vjeçari K.Veseli, i kishte thënë se ky person i cili e kishte ngacmuar vazhdimisht e kishte dhunuar dy herë edhe seksualisht.

“’Po më kap’, më thoshte ‘oj nanë. Po m’rreh, po m’kap’, më thoshe. E ka dhunu, dy herë djalin seksualisht. Unë po du me ditë se kush ma ka ba këtahen. Djali më vinte me ftyrës. Sa herë që vinte në shpi krejt i ënjtur ishte në fytyrë. Thoshte kam djagësim kur e kryente nevojën e madhe”, tregon se çka i kishte thënë djali tashmë i ndjerë nënës së tij, Makfire Ilazit pas dhunës që sipas saj djali po e përjetonte nga ky person.

“Ai e ka kap djalin oj motër. Ka që dy muaj a tre. Unë e kam lajmërua edhe ma herët këtë rast.  Ai djalë është i ri, merret edhe me do punë tjera. Aj ka qëndrua ka shtëpitë tona. Në baraka”, thotë tutje nëna e 11-vjecarit të ndjerë K.Veselit.

Familja e 11-vjeçarit: Djalin na e dhunuan e pastaj e vranë

Familja e viktimës po dyshojnë se djali i tyre është vrarë. Fqinjët e 11-vjeçarit të ndjerë po e akuzojnë një 20-vjeçar për këtë krim. Sipas tyre, S.O., që jetonte në barakat e këtij qyteti, e ka rrahur deri në vdekje K.Veselin.

Ndërkohë, Gazeta Express, pas familjes së viktimës, ka shkuar edhe të shtëpia e S.O., i cili po akuzohej nga fqinjët e nga familja e së ndjerit si i dyshuar në lidhje me rastin.

Policia në shtëpinë e të dyshuarit S.O

Aty, qenë të pranishëm edhe zyrtarë të policisë së Kosovës duke e kërkuar të dyshimtin, por edhe familjarët e tij.

Por familja e S.O., të enjte rreth orës 23:00 e kishin lëshuar shtëpinë e tyre. Njëri nga fqinjët e të dyshuarit, tregoi për Express se 20-vejçari njihet si tip problematik se dhe në shtëpinë e tij nuk qëndronte shumë. Tha se çdoherë kishte pasur probleme me familjarët e tij.

Sipas komshiut të S.O., familja e tij kishte dalë nga shtëpia, ngase disa persona nga komuniteti rom kishin shkuar në shtëpinë tyre se u kishin thënë se djali i tyre S.O., po akuzohet për vrasjen e 11-vjeçarit, K.Veseli.

“Ju nuk keni më vend këtu. Nëse djali jot e ka mbytë djalin nuk keni pse rrini këtu”, tregon fqinji për deklaratat e banorëve që i kishin shkuar në shtëpi të enjten mbrëma familjes së S.O.

Cili kishte qenë kontakti i fundit e 11-vjeçarit me familjen e tij

K.Veseli për çdo ditë në mëngjes dilte me nënën, dy vëllezërit edhe motrën e tij për të mbledhur kanaçe rrugëve të Fushës Kosovës. Njëjtë kishte ndodhur edhe gjatë të mërkurës që e lamë pas.

Rruga ‘Xhemail Mustafa”, vendi ku u gjetë i vdekur 11-vjeçari

Por kjo qe dita e fundit kur ai bashkë me nënën dolën për ta kryer punën që po e bënin për mbijetesë me vite të tëra. Ai u gjet i vdekur një ditë pas.

“Të mërkurën në ora 10:30 kemi dal prej shtëpisë. Kemi dal në qytet kemi mbledhë shishe. Kemi dal kemi hangër kemi pi e kemi dal. I thash djali jem hajde se po bie shi. ecim në shtëpi. Më tha jo po rri edhe pak me mbledhë hala shishe edhe me ardh”, rrëfen nëna e 11-vjecarit të ndjerë Makfire Ilazi.

Ndërkohë, banorët e lagjes tregojnë për Express se si e kishin gjetur viktimën. Hasim Puvolli, banor i lagjes ‘28 të Fushë Kosovës’ ka thënë për gazetën se ai kishte qenë personi që e kishte identifikuar viktimën.

Thotë se nëna e tij, Mafkirja kishte kërkuar ndihmë nga ai për gjetjen e djalit.

“Mua që në mëngjes kur fëmija ka humbë, nëna e tij më ka bërë me dije që ai ka hup. Unë e kam sygjeru atë që të shkojë në polici ta paraqes rastin. Unë e kam ba publike në lagjen tonë që filan fëmija ka humbë. Unë kam shku në polici e kam lajmëru rastin. Kam thënë që një fëmijë i lagjes sonë ka humbur. Atëherë kam shku edhe e kam identifiku viktimën”, thotë Puvolli.

Ai tregon se e ka parë edhe trupin e viktimës. Sipas tij, K.Veseli 11-vjeçar, kishte pasur shenja të dhunës në fytyrë e në trup.

“Gjendja e tij, ka pas shenja dhune, në fytyrë dhe në trup. E kam larë kufomën. E pamë që ka pasur shenja dhune. Kjo nuk mundet me qenë vdekje natyrale”, tregon fqinji i viktimës.

Prokuroria: Viktima ka pasur shenja dhune, po i vazhdojmë hetimet

E ndërkohë me gjithë këtë ngjarje të rëndë, hetimet po i vazhdon prokuroria e shtetit. Prokurori i rastit, Hivzi Bajrakari ka konfirmuar për Express rreth dëmtimeve trupore që janë parë në trupin e 11-vjeçarit.

“Rastin jemi duke e hetuar. Policia dhe prokuroria kanë dal në vendin e ngjarjes ku edhe është hasur viktima. Ai ka pasur lëndime dhe gjakderdhje në kokë”, ka deklaruar Bajraktari.

Ndërkohë edhe nga policia i kanë thënë gazetës se në bashkëpunim  ne prokurorin e rastin po merren me hetimet.

Megjithatë, autopsia në trupin e 11-vjecarit tashmë ka përfunduar. Këtë e ka konfirmuar për Express, Arsim Gërxhaliu. Mirëpo, ai nuk ka dhënë detaje rreth gjetjeve.

Trupi i pa jetë i K.Veselit i është kthyer familjarëve për ceremoninë mortore. Ai u varros sot në drekë në varrezat e qytetit të Fushë Kosovës./GazetaExpress/