“Misteri rus”, vetëm 147 të prekur nga Covid 19, apo janë me mijëra?

“Misteri rus”, vetëm 147 të prekur nga Covid 19, apo janë me mijëra?

Nga Fabrizio Dragosei

Tani dukej si një mrekulli që një vend të jetë pothuajse tërësisht imun ndaj koronavirusit. Rusia me vetëm disa dhjetëra raste midis afro 150 milion banorëve, po akuzohet gjithashtu për përhapjen e lajmeve të rreme dhe tendencioze rreth epidemisë në pjesën tjetër të botës, nga SHBA në Evropë. Kjo është një epidemi e cila, sipas disa llogarive të rreme në mediat sociale, është nxitur nga shërbimet sekrete perëndimore.

Ndërkohë situata shëndetësore po ndryshon ngadalë dhe fatkeqësisht jo për mirë. Ndërsa tendenca zyrtare është të minimizojë atë që ndodhë, edhe masat e pakta të sigurisë që janë vendosur po merren lehtë nga popullata. Sa i përket akuzave për ndërhyrjet ruse në Perëndim, përgjigja e Kremlinit është e thatë: “Ne kemi folur për akuza të pabazuara që ndoshta janë rezultat i një makthi anti-rus,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Peskov

Vendi më i madh në botë që ka një kufi tokësor prej 4.200 km me Kinën, kishte vetëm 93 të infektuar deri të hënën në mbrëmje, pa asnjë vdekje të regjistruar. Të martën numri shkoi në 114 dhe një ditë më pas 147. Në të gjithë Rusinë, sipas zv.kryeministres Tatyana Golikova, janë gati 55,000 shtretër. Por autoritetet deri më tani kanë nënvlerësuar epideminë. Në fund të shkurtit, shefi i sëmundjeve infektive në spitalin e Moskës, Botkin Vladimir Beloborodov tha se në Rusi «nuk do të ketë epidemi; dikush do të sëmuret dhe gjithçka mbyllet aty “.

Transporti publik kudo është në funksionim; shkollat janë të hapura, baret, restorantet dhe kinematë po ashtu. Vetëm të martën në mbrëmje u nxorën rregulla të reja: muzetë, kinematë dhe teatrot të mbyllen. Restorantet dhe baret mbeten të hapura por klientët duhet të lajnë duart para se të hyjnë. Distanca prej një metër është vendosur vetëm ndërmjet tavolinave (por jo midis njerëzve që ulen së bashku). Të gjitha kufijtë gjithashtu u mbyllën. Megjithatë, dje, askush nuk i respektoi rregullat e vendosura, të paktën në disa zona të Moskës.

Çfarë po ndodh në të vërtetë në Rusi?

Kundërshtarët e pushtetit dyshojnë në shifrat zyrtare. Një ish profesor në Universitetin e Moskës, disidenti Valerij Solovey, ka folur për 150,000 të infektuar me 1600 vdekje. Por nuk ka prova. Ndërkohë, puna e dezinformatave nga organe të lidhura me shtetin rus vazhdon. Administrata Trump foli për një rrjedhë lajmesh të rreme nga “një fuqi e huaj”. Që me sa duket është ose Kina ose Rusia. Facebook dhe Tëitter kanë identifikuar dhe bllokuar një rrjet profilesh të rreme që i atribuohen Rusisë. Evropa konfirmon: 80 raste të “mashtrimeve” që nga 22 janari. /Corriere dela Sera