“Monstra”, vazhdon publikimi i bombave

“Monstra”, vazhdon publikimi i bombave

Gjatë paraqitjes së materialeve të përgjuara në rastin “Monstra”, shumica e thirrjeve telefonike dhe SMS-porosive ishin biseda private. Bombat, të cilat u paraqiten në seancën e sotme përfshijnë dosje nga 18 prilli i vitit 2012, por sipas avokatëve këto nuk janë aq relevante për procesin gjyqësorë. Bisedat private zhvillohen midis personave të panjohur me personin e caktuar N.N. Në mes tjerash një përgjim tregon se si është arrestuar një i pafajshëm. I quajturi Nexhmedin duke i treguar në bisedë telefonike personit N.N. se si gjatë marrjes në pyetje në polici i kanë thënë se ai ka organizuar rastin. Personi mashkull me iniciale N.N. është i njohur për gjykatën, por ai nuk është i përfshirë në aktakuzë për rastin Monstra.

Të them të drejtën isha shumë keq, por tash jam më mirë. Isha në Greqi dhe në hyrje në kufi më arrestuan. Isha në stacionin policor por tani më lëshuan. Duan të më montojnë shumë punë. Kisha një veturë të vjetër, Mercedes, të parkuar përball servisit. Dikush i ka vjedhur numrat e regjistrimit dhe i ka vendosur në veturën me të cilën kanë vozitur vrasësit”-thuhet në bisedën e përgjuar ndërmjet Nexhmedinit dhe personit N.N.

Nga pala mbrojtëse e të akuzuarve, thonë se volumi i këtyre përgjimeve të prezantuara në këtë seancë nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë. Avokati Naser Raufi tha se gjatë gjithë kohës së përgjimeve përmes fjalëve kyçe janë regjistruar bisedat në data bazat e pajisjeve përgjuese.

Në çdo seancë dalin materiale të përgjuara që është punë e prokurorisë të detektoj, siç kishin telefonata të personave që sipas numrave të telefonave besoj se edhe prokuroria i di, të cilët praktikisht bisedojnë për vet krimin. Dua ta theksoj se këta që dëgjuam nuk janë persona, të cilët janë të akuzuar, por të tjerë. Puna e prokurorisë është që në hetim të vërtetojë se kush janë vepruesit. Tani u bë shumë më e qartë se gabimi ka qenë i ish-Prokurorisë që kanë akuzuar këta persona, të cilët janë në gjykatë”-tha Naser Raufi, avokat.

 Para fillimit të seancës, avokatja e të dëmtuarve Dafinka Ivanovska njoftoi se dje kanë zhvilluar takim me Ministren e Drejtësisë Renata Deskovska, por tha se asgjë konkrete nuk doli nga ajo mbledhje lidhur me procedurën e kërkesës për ekstradimin e dy të arratisurve në Kosovë.

 Për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smilkovcës më 12 prillit të vitit 2012, kur u vranë djemtë Kire Triçkovski, Filip Slavkovski, Cvetanço Atkovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta. Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2017 i shfuqizoi aktvendimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Azirin, Sami Lutën dhe Fejzi Azirin dhe u caktoi masë kujdesi. Pas shfuqizimit të aktvendimeve, rastin “Monstra” e mori PSP-ja dhe lënda është kthyer sërish në gjykim.

 Adnan Qaili

Loading…