Alsat 2019-08-14T15:21:10+02:00
Gjykata Supreme vulosi vendimin e këshillit penal, ku thuhej se nuk ka bazë për ekstradimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Tomor Morina në Serbi. Sipas tyre, ekstradimi i Morinës në Serbi është i pamundur, pasi që ai dyshohet për vepra të kryera në Kosovë, shtetësinë e të cilit shtet edhe e posedon personi në fjalë.
Gjykata Supreme
“Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale ka konstatuar se personi Tomor Morina, ekstradimin e të cilit e kërkon Republika e Serbisë, është shtetas i Republikës së Kosovës dhe Britanisë, dhe jo shtetas i Republikës së Serbisë, ndërsa veprën penale për shkak të së cilës kërkohet ekstradimi është bërë në territorin e Republikës së Kosovës, që është nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve, dhe që ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, pavarësia e së cilës është njohur edhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Autoritetet kosovare kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut. Vendimi i Gjykatës Supreme duhet t’i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë e cila edhe përgatit vendimin final për refuzimin e kërkesës së palës serbe për ekstradimin e ish pjesëtarit të UÇK-së. Megjithatë mbetet ende e paqartë koha e lëshimit të Morinës nga paraburgimi. Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë. Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë. Arrestimi i tij shkaktoi reagime të shumta nga autoritetet në Kosovë dhe partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Morinës.
Besian Leka
Loading…