Alsat 2019-07-23T15:29:53+02:00
Pa një marrëveshje reciproke të partive mbi prioritetet strategjike siç janë Ligji për Prokurorinë Publike, Regjistrimi i Popullsisë dhe modeli i zgjedhjeve, patjetër do të kemi një krizë të re politike, vlerësojnë një pjesë e ekspertëve. Arsyet shihen në dialogun e rënduar politik – opozitë, përpjekja e dështuar e takimit të liderëve dhe njoftimi për “skriningun” e zhvillimeve politike në vend nga Johanes Han dhe Filip Riker. Sipas komunikologut Marko Troshanovski, problemi i dialogut politik nuk është një moment i ri.
Kemi nevojë për një konsensus minimal mbi vlerat politike, ekonomike, sociale, në bazë të të cilave do të ndërtojmë dialogun. Strategjitë aktuale të komunikimit dhe taktikat që i ndërmarrin elitat politike kur ata janë në pushtet ose në opozitë, e shkatërrojnë plotësisht këtë konsensus dhe mund të thuhet se nuk kemi konsensus për të ndërtuar dialogun politik. Pikërisht kjo është arsyeja pse ne jemi në një cikël të vazhdueshëm krizash politike që shfaqet si rezultat i këtij mos-diskutimi dhe jo ekzistencës së një baze të përbashkët, për t’u marrë vesh, siç thuhet”-tha Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci.
Troshanovski mendon se dialogu politik duhet të transferohet në Kuvend ose nën ombrellën e Presidentit Pendarovski. Nga ana tjetër, vizitat e komisionerit evropian Han dhe ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për Evropën dhe Azinë, Riker, përkojnë me aferën e PSP-së dhe projektligjin për Prokurorinë Publike. Mbështetje për reformat dhe përkushtim për dialog ndërmjet partive në intervistën për Alsat dha dhe Ambasadorja e SHBA-së në vend, Kejt Bërns.
Dhe si në çdo demokraci është absolutisht kritike që liderët politikë të mbështesin reformat, që njerëzit dhe qytetarët duan. Ne do të jemi partner në atë përpjekje, siç kemi qenë, dhe SHBA-ja do të vazhdojë të jetë e përkushtuar të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike, liderët dhe qytetarë në vend për të promovuar një dialog politik pozitiv dhe konstruktiv”-tha Kejt Bërns, ambasadore e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.
Pas takimit të dështuar të liderëve të premten e kaluar, Presidenti Pendarovski u ofrua si mikpritës. Por për momentin, VMRO DPMNE nuk pranon të diskutojë për ligjet e reformave pa fokusin kryesor, shpalljen zgjedhje të parakohshme parlamentare, diçka për të cilën Zaevi aktualisht nuk është i gatshëm.
ALSAT
Loading…