Mustafa: LDK ka vullnet për koalicion, VV ta vlerësojë mirë ofertën tonë të fundit

Mustafa: LDK ka vullnet për koalicion, VV ta vlerësojë mirë ofertën tonë të fundit

Koalicioni mund të arrihet me vullnetin e VV-së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka folur për arsyet e mosarritjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje deri më tani.

Në një intervistë për RTV21, Mustafa tha se nuk e ka pritur që do të zgjasin kaq shumë bisedimet me VV-në për formimin e Qeverisë.

Sipas tij tani koalicioni mund të arrihet me vullnetin e Vetëvendosjes.

“LDK ka vullnet edhe përkushtim që të arrihet koalicioni se kemi punur gjatë për këtë kemi kryer një fazë shumë të rëndësishme të punës në harmonizimin e programit qeverisës në përcaktimin e fushave që do të qeverisin LDK e Vetëvendosje dhe subjektet që i përkasin minoriteteve. Kanë mbet disa gjëra që unë si kryetar i LDK-së kam qenë i bindur se do të zgjidhen dhe do të pajtoheshim në takimin e parë ose të dytë, dhe në asnjë rast nuk kam prit që do të shkohet kaq gjatë, por vlerësoj se mund të arrihet kjo me vullnetin e partisë që ka dalë e para”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK-së, Mustafa theksoi se VV duhet ta vlerësojë mirë ofertën e fundit të LDK-së për koalicion pasi sipas tij, kjo ofertë është e balancuar.

“VV duhet të masë e vlerësojë mirë ofertën që ne kemi dhënë sepse është një ofertë shumë e balancuar që siguron që dy subjektet të kenë participim në organet më të larta përfaqësuese dhe organet qeverisëse të vendit e cila në asnjë rast nuk e dëmton as njërën palë e shton mirëbesimin dhe mundëson që të arrijmë synimet tona. Nëse s’bëhet kjo atëherë do të jetë e pasigurtë se si do të funksionojë ky koalicion edhe po të ndodhte koalicioni prandaj presim që kjo të vlerësohet mirë, të matet mirë dhe të kemi përgjigje nga Vetëvendosje që mundëson që ne ta bëjmë koalicionin shumë shpejtë”, është shprehur Mustafa.

I pyetur se a ka trysni nga faktorët ndërkombëtar që LDK dhe VV të formojnë qeverinë, Mustafa tha se faktorët ndërkombëtar janë më shumë të interesuar që Kosova të ketë Qeveri.

“Unë nuk mund të flas për trysni ka interesim faktorët ndërkombëtar që të bëhet Qeveria e Kosovës. Nuk është në faktorët ndërkombëtar që ajo të thotë se kush me kënd ta bëjë qeverinë, por janë të interesuar siç jemi të interesuar edhe ne. Unë mund të them se ne si LDK ndoshta dhjetë herë më shumë jemi të interesuar të bëhet qeveria se sa që mund të jetë i interesuar faktori ndërkombëtar, sepse ata nuk janë këtu për të bërë qeveri, por janë të interesuar që Kosova të ketë qeveri”, tha kryetari i LDK-së Isa Mustafa.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa tha se takimi mes tij dhe Albin Kurtit varet nga Vetëvendosje se sa është e gatshme për të bërë marrëveshjen. Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet Mustafa tha se Vetëvendosje duhet të bëjë zgjidhje tjetër për formimin e qeverisë.