Në Shkup sot duhet të arrijnë 60 respiratorë, donacion nga NATO për ballafaqim me pasojat e pandemisë së Covid-19. Donacionin nga NATO, në vlerë prej 1,4 milion euro, do ta pranojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ministrja e Mbrojtjes Radmila Shekerinska, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, raporton Portalb.mk.
Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një konferencë të përbashkët për media më 8 tetor pas takimit me kryeministrin, Zoran Zaev, ku paralajmëroi këtë ndihmë, tha se se kjo organizatë do t’i ofrojë vendit ndihmë të përbërë prej pajisjeve mjekësore në vlerë prej rreth 1,4 mln euro, për përballje me pandeminë. Ai gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Zaev, tha se NATO, me fillimin e pandemisë, i ka ofruar ndihmë të koordinuar Maqedonisë së Veriut, aleatët siguruan materiale mjekësore dhe ndihmë financiare për të lehtësuar barrën e sistemit shëndetësor të vendit, shkruan Portalb.mk.
“Maqedonia e Veriut do të marrë pako të ndihmës nga rezervat e reja të NATO-s, 60 respiratorë dhe pajisje të tjera urgjente në vlerë prej rreth 1,4 mln euro dhe kjo kuptohet vjen në mënyrë shtesë e përkrahjes dhe mbështetjes që kemi bërë. Ky është solidariteti NATO-s në vepër”, deklaroi Stoltenberg.
Më 27 Mars, Republika e Maqedonisë Veriore zyrtarisht u bë anëtare e NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.