Ndërkombëtarët: Ligji për Prokurorinë të miratohet urgjentisht

Ndërkombëtarët: Ligji për Prokurorinë të miratohet urgjentisht

Korrupsioni është në rritje, por i pa sanksionuar. Raporti i Rrjetit rajonal për zhvillim dhe integritet në Evropën Juglindore (SELDI) tregon se 490 038 qytetarë kanë qenë nën presion të korrupsionit, ndërsa në vitin 2018 vetëm 92 persona janë dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kështu, zv/ambasadorja amerikane, Xhenifer Litllxhon dhe Frik Danmat nga delegacioni i BE-së theksojnë urgjencën e sjelljes së ligjit të ri për prokurorinë publike. Ata iu apelojnë të gjitha palëve të përfshihen në luftën kundër korrupsionit dhe rrjedhimisht kthimin e Sundimit të ligjit në vend.

Është e rëndësishme të sillet Ligj i ri për prokurorinë publike, të tregohet angazhim kombëtar sepse kjo është mbi politikën dhe e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Përgjegjësia nuk është vetëm e koalicionit qeveritar, por edhe e të gjitha partive parlamentare. Opozita duhet të jetë konstruktive. Pa pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve politik këto reforma nuk do të kenë sukses- deklaroi Xhenifer Litllxhon, Zv/ambasadore e SHBA-së

Qeverisja e mirë dhe Sundimi i së drejtës nuk duhet të përzihen me reformat teknike. Ato janë pjesë e procesit që kërkon ndryshim të mentalitetit. Ne mbetemi të përkushtuar dhe shpresojmë që institucionet të japin rezultate pozitive për të mirën e gjeneratave të ardhshme- tha Frik Janmat, Udhëheqës i Sektorit për projekte në Delegacionin e BE-së.

Për Kryetaren e “Transparency-International”, Sllagjana Taseva ligji i ri për prokurorinë publike, nuk mjafton.

Le të angazhohemi që korrupsioni asnjëherë të mos vjetërsohet, pra le ta ndryshojmë edhe Kushtetutën nëse ka nevojë, por të mos ketë vjetërsim të lëndëve penale të korrupsionit. Kjo ndodhi në Kroaci, para se të bëhej anëtare e BE-së. Pse të mos e bëjmë edhe ne, nëse duam të tregojmë vullnet të vërtetë për luftën kundër korrupsionit. Të korruptuarit nuk duhet më të kenë mundësi të udhëheqin me shtetin tonë- pohoi Sllagjana Taseva, “Transparency International- Maqedoni”

Ajo shton se çmimin e korrupsionit po e paguajmë të gjithë, se korrupsioni është sistemor dhe si i tillë dëmton sistemin arsimor, shëndetësor, gjyqësor dhe sigurinë e shtetit.

Anesa Salihu 

Loading…