14 Tetor 2018 / 16:01
Rezultati i referendumit për emrin nxori në pah se hulumtimet për matjen e opinionit publik ndikohen nga politika dhe nuk pasqyrojnë realitetin. Komunikologu, Sefer Tahiri thotë se të gjitha agjencitë të cilat të ndikuara nga porositësit politik parashikuan dalje joreale prej mbi 50% në referendum, tashmë kanë humbur kredibilitetin që të bëjnë anketa në të ardhmen.
Ky gabim statistikor është jo i pranueshëm, është anti-metodologjik, është kundër të gjitha metodave dhe të gjitha instrumenteve për matjen e opinionit publik. Dhe si i këtillë unë mendoj që është më tepër pasojë e ndikimit politik që ushtrohet ndaj këtyre instituteve. Shumica e këtyre instituteve dhe organizatave joqeveritare që do të bëjnë hulumtimin e opinionit publik janë të delegjitimuara, që do të thotë se janë jo-kredibile dhe nuk do ta kenë peshën e njëjtë siç e kanë pasur para referendumit apo siç e kishin në zgjedhjet e kaluara lokale apo zgjedhjet e fundit parlamentare- thotë komunikologu Sefer Tahiri.
Aleksandar Kërzhallovski nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar e cila është njëra nga agjencitë që publikoi anketa të këtilla, arsyetohet se anketat u publikuan shumë kohë para ditës së referendumit. Kërzhallovski madje tha se ata kishin prognozuar se nuk do të arrihej cenzusi, pavarësisht se sipas anketës së fundit që publikuan dalja do të ishte 58%.
Këtu kyçe ishte dalja dhe kjo gjithmonë është më e vështira të matet, pikërisht për atë se tjetër është të thuash dhe tjetër të bësh. Për këtë, nga 58% ne prognozuam dalje prej 46%. Në fund doli 37% por gjithsesi kishte një muaj të tërë kampanjë, në të cilën, së pari VMRO DPMNE-ja përfundimisht deklaroi se çfarë mendonte të bënte, pra para kësaj nuk kishte kurrëfarë qëndrimi, atë e thanë më 10 shtator, pas anketave. Dhe kishte një kampanjë të tërë, 20 ditë të kampanjës zgjatën pas anketave. Pra të gjitha këto çështje ndikuan në dallimet mes asaj që u publikua në anketa dhe ajo që ndodhi në terren – pohoi Aleksandar Kërzhallovski, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Sipas anketës që Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar e publikoi në gusht parashikohej dalje prej 66%, ndërsa dalje prej 58% sipas asaj të publikuar më 5 shtator në bashkëpunim me Institutin për Demokraci “Societas Civilis”. Madje 63,6% ishte dalja e parashikuar nga Instituti ndërkombëtar për studime ballkanike dhe të Lindjes së afërt (IFIMES) në mes të shtatorit. Në këto dhe shumë anketa të tjera parashikimi ishte shumë larg daljes reale prej 36,9% dhe rrjedhimisht edhe parashikimet për votat pro dhe kundër. Të dhënat statistikore shpesh herë dallojnë në anketa të ndryshme varësisht nga porositësit e tyre.
Anesa Salihu