13 Dhjetor 2018 / 15:15
Amendamentet kushtetuese që hynë në fazën përfundimtare dhe pritet të miratohen në Kuvendin e Shkupit janë një nga temat kryesore në Athinë. E përditshmja greke, ANA MPA duke iu referuar burimeve të saja në Qeverinë greke shkruan se këto amendamente janë në përputhje me frymën dhe tekstin e Marrëveshjes së Prespës. Madje këto burime nga ekzekutivi grek kanë “arsyetuar” deklaratën e kryeministrit, Zaev se maqedonishtja duhet të mësohet në Greqi, duke thënë se është bërë për qëllime të brendshme, në mënyrë që të rrisë mbështetjen për marrëveshjen, por se angazhimi i tij për Marrëveshjen e Prespës mbetet edhe më tej”. Megjithatë Ministri i Mbrojtjes dhe njëherit partneri i koalicionit qeveritar, Panos Kamenos për të cilin deklarata e Zaevit dëshmon dëshirat e parezistueshme, kërcënohet me dorëheqje nëse marrëveshja kalon procesin në Shkup.
Nëse Marrëveshja e Prespës vazhdon të kalojë në IRJM, unë do të dorëhiqem nga dikasteri i mbrojtjes, duke marrë përsipër barrën e përgjegjësisë do të dorëhiqem nga Qeveria”. – tha Panos Kamenos, Ministër i Mbrojtjes në Greqi
E përditshmja, Iefimerida duke iu referuar burimeve nga BE-ja raporton se kërcënimi i Kamenosit është shqetësues dhe temë debati në Bruksel. Një ditë më parë, në prononcim pas takimit me Ministrin e Jashtëm Alternativ, Katrugalos ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic nuk pranoi të komentonte deklaratën që bëri bujë të madhe.
Ne jemi pajtuar se ky është hap i rëndësishëm për sigurinë e rajonit, për marrëdhënien e dy vendeve. Kam qenë në kontakt me të dy palët muajt e fundit dhe nuk mund të them asgjë për procesin politik në ndonjërin prej vendeve. Le të ecin përpara! Nëse dy palët kanë nevojë për ndihmën time, si OKB jemi të gatshëm të ndihmojmë.” – theksoi Metju Nimic, Ndërmjetës i OKB-së
Greqia është e përkushtuar në frymën dhe përmbajtjen e Marrëveshjes së Prespës, kuptohet me kusht që ky përkushtim të jetë reciprok edhe nga pala tjetër.” – u shpreh Jorgos Katrugalos, Ministri i Jashtëm Alternativ i Greqisë
Ndërkohë ekspertët nuk i interpretojnë si kërcënim thirrjet e kryeministrit grek, Cipras që Zaev të ketë kujdes me deklaratat publike, pasi në të dy vendet deklaratat e këtilla mund të keqpërdoren nga armiqtë e marrëveshjes.
Thirrjen për kujdes nuk e shoh si kurrfarë kërcënimi. Gjithsesi Cipras dhe partia e tij, Qeveria e tij janë ato që duhet ta çojnë përpara këtë marrëveshje në Greqi. Në këtë kontekst duhet t’i ndihmohet Ciprasit të krijohet një atmosferë në të cilën do të mund edhe pala greke ta ratifikojë marrëveshjen dhe të fillojmë me zbatimin e saj.” – tha Zoran Neçev, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”
Ditëve të fundit në Athinë mbizotëron debat i ashpër mes pushtetit dhe opozitës rreth Marrëveshjes së Prespës.
Anesa Salihu
Loading…