Ndryshimet në qeveri, Tritan Shehu kundër pasuesit të Bushatit

Demokratët i japin të drejtë presidentit, i cili nuk ka dekretuar më shumë se gjysmën e propozimeve që kryeministri i dërgoi për rifreskimin e qeverisë me ministra të rinj.

“Asnjë nga ministrat e rinj nuk duhet dekretuar. Kjo qeveri është qeveri në ikje, pa fizionomi, e dështuar dhe shënon mbylljen e kapitullit të Rilindjes”, tha Tritan Shehu.

Ish-ministri i Jashtëm demokrat, Tritan Shehu thotë se Ilir Meta po luan rolin që i cakton Kushtetuta, ndërsa shton se refuzimi i tij do të ishte i bazuar për shefin e ri të diplomacisë shqipare, për shkak të qëndrimeve të rrezikshme në raport me politikën e Jashtme të Shqipërisë.

“Unë jam ai që kam kërkuar shkarkimin e Bushatit, por kandidatura e sjellë për ministër të Jashtëm nuk përmbush kriteret që duhet të ketë ministri i Jashtëm, e krijon paqartësi për politikën e Jashtme shqiptare, hap probleme me aleatët tanë dhe është kandidaturë që është shprehur për një proces të rrezikshëm, siç është ai për copëtimin e Kosovës, duke marrë në mbrojtje teorinë e Beogradit”, tha Tritan Shehu.

Demokratët janë indiferentë ndaj faktit se, me ndryshimet e fundit, kabineti “Rama” po merr pamjen e një qeverie teknike, për sa kohë – thonë ata, – kryeministri është politik.

“Ne si opozitë jemi indiferentë, sepse si të parët, si të dytët janë të dështuar. Por e dyta më e dështuar dhe tregon paaftësinë e qeverisë së kryeministrit. Ndaj e thashë se këto ndryshime vulosin idenë që kjo është qeveri në ikje shpejt, në shkërmoqje”, tha Tritan Shehu.

Presidenti Meta mësohet se ka nisur një proces verifikimesh për 5 ministra, përfshi të Jashtmin, ndërsa më 12 janar skadon koha që i njeh Kushtetuta për të thënë fjalën e tij.

TAGS