Në Britani kërkohet lejimi i marrjes së spermës nga personat e vdekur

Në Britani kërkohet lejimi i marrjes së spermës nga personat e vdekur

Disa mjekë në Britani të Madhe kanë thënë se duhet të lejohet me ligj marrja e spermës nga personat e vdekur me qëllim të përdorimit për fekondim artificial.

Në hulumtimin e publikuar në revistën “Journal of Medical Ethics”, në të cilën trajtohen çështjet e aspektit etik në mjekësi, thuhet se marrja e spermës nga personat e vdekur duhet të jetë e lejuar ligjërisht dhe moralisht.

Në vitin 2017, në Britani të Madhe janë lindur 2 mijë e 345 foshnja përmes dhurimit të spermës nga personat e huaj. Megjithatë, kohëve të fundit ka mungesë të saj për shkak të rregullave të rrepta.

Sperma mund të nxirret nga trupat e personave të vdekur përmes stimulimit elektrik të prostatës ose përmes operacionit dhe më pas materiali mund të ngrihet për t’u ruajtur për një kohë të gjatë.

Dëshmitë tregojnë se sperma e marrë nga burrat e vdekur mund të sjellë shtatzëni funksionale dhe fëmijë të shëndoshë edhe 48 orë pas vdekjes së dhuruesit.

Dr.Nathan Hodson nga Universiteti i Leisterit dhe Dr. Joshua Parker nga spitali Wythenshaëe në Mançester thonë se kjo metodë mund të krahasohet me marrjen e organeve nga personat e vdekur.

Ata thanë: “Nëse është moralisht e pranueshme që të merren organe dhe inde nga personat e vdekur, ne nuk shohim ndonjë arsye që kjo gjë të mos zbatohet edhe kur është fjala për t’i ndihmuar personat që vuajnë nga infertiliteti”, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.