Në burgjet e Kosovës mungon stafi adekuat shëndetësor

Në burgjet e Kosovës mungon stafi adekuat shëndetësor

Burgjet e Kosovës ende po përballen me probleme të ndryshme. Përveç kontrabandës, numrit jo adekuat të stafit korrektues, as shërbimet shëndetësore nuk del të jenë më të mira. E vetëm gjatë këtyre muajve të këtij viti janë identifikuar dy persona me sëmundjen e tuberkulozit.

Organizatat të cilat monitorojnë dhe mbikëqyrin burgjet e Kosovës, thonë se shërbimet shëndetësore në burgje nuk kanë kapacitet për të trajtuar këto raste të tuberkulozit.

Milazim Gjocaj, drejtor i departamentit për Shëndetësinë në Burgje thotë se nga 142 raste që i kanë trajtuar gjatë vitit, dy të burgosur kanë qenë me sëmundje të tuberkulozit, por që sipas tij, aktualisht vetëm një është aktiv.

“Kemi raste që kanë ardhur të infektuar dhe ne i kemi zbuluar në pranim. Për shembull rastin e ri që e kemi zbuluar ka qenë në pranim në Dubravë, e kemi një rast tjetër në Lipjan për të cilin po flisni, i cili ka ardhur një rast dhe është dyshuar që ka tuberkulozë në anamnezë nga mjeku, dhe kur i kemi bërë të gjitha analizat ka dal që ai ka qenë para tetë viteve me tuberkuloz, i cili është trajtu dhe ka dal që është aktiv, nuk është i rrezikshëm dhe jeton me të tjerët. Ne për momentin e kemi vetëm një rast, i cili ka dalur pozitiv, e kemi dërguar në Spitalin e Pejës, është trajtu dhe nuk është i rrezikshëm për të tjerët, është kthyer dhe është në dhomat e izolimit në stacionarin e burgut të Dubravës”, tha Gjocaj, për Kosovapress.

Sipas Gjocajt, numri i stafit shëndetësor në institucionet korrektuese është 125, për çka zotohet se këto shërbime janë të duhurat.

“Çështja e stafit mjekësor që ne kemi është e mjaftueshme, sepse në secilin institucion, qoftë ai edhe me 50 të burgosur, ne kemi shërbim infermierie 24 orëshe dhe kemi mjekun, çdo ditë kemi psikologun e punësuar dhe kemi konsultantin psikiatër”, tha ai.

Por ndryshe po vlerësojnë organizatat të cilat monitorojnë burgjet e Kosovës.

Valentina Demolli nga KMDLNJ, thotë për KosovaPress, se personat e privuar nga liria, të cilët kanë sëmundje të ndryshme, është vështirë të trajtohen në këtë institucione për shkak të hapësirës dhe stafit joadekuat.

“Në bazë të monitorimeve ne gjithmonë kemi pasur vërejtjet tona sa i përket shërbimeve shëndetësore. Kjo për disa arsye. Për shkak se në institucionet korrektuese, në sistemin e burgjeve në Kosovë ende ka një mungesë të stafit të profesionalizuar, të angazhuarve, në kuptimin e sistemit shëndetësor, ka ende mungesë të kushteve që ballafaqohet stafi shëndetëor për trajtim të rasteve. Kurse, në të gjitha këto institucione ofrohet vetëm shërbimi shëndetësor parësor, kurse për nevoja të tjera më të veçanta, të privuarit nga liria dërgohen në institucione të tjera të afërta, qoftë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në qytetet ku janë të vendosura këto institucione apo edhe raste të tjera të cilat delegohen në QKUK”, tha Demolli.

Sipas saj, me raste detyrohen edhe vet familjarët që t’ua sigurojnë barnat të burgosurve. Ajo thotë se KMDLNJ ka kërkuar që të ndërtohet një spital qendror për të gjitha institucionet korrektuese, ku do të mund të trajtoheshin të gjitha natyrat e sëmundjeve.

Bazuar në mungesën e hapësirës në këto institucione, sëmundje të tilla si tuberkulozi shumë lehtë mund të përhapen. Një gjë të tillë thekson edhe vet drejtoresha e Pulmologjisë, Rukije Mehmeti.

“Është infeksion i cili përhapet përmes ajrit, prej njeriut të sëmurë në njeriun e shëndoshë dhe gjatë kollitjes, teshtitjes, të folurit, të qeshurit dhe simptomat e tuberkulozit, janë lodhja, plogështia, prishja e oreksit, kolla me kelbaz, e cila zgjat më shumë se tri javë, dhe këto simptoma janë të ngjajshme me infeksione të tjera të gripit, ftohje”, thotë ajo.

Ndërkaq, Majlinda Gjocaj, kordinatore e programit kombëtar të tuberkulozit, thotë se në bazë të gjetjeve gjatë vitit të kaluar në institucionet korrektuese nuk ka pasur të prekur me këtë sëmundje. Megjithatë, sipas saj këto shifra mund të ndryshojnë gjatë vitit 2019.

“Për vitin 2018 është zero numri i të prekurve nga kjo sëmundje, kjo nuk do të thotë që për vitin 2019, tuberkulozi nuk ka një vit statik, një vit mund të dal zero, në vitin tjetër, nuk do të thotë që nuk dalin 3-4-5 persona, do të thotë është epidemie, mirëpo gjendja është stabile”, tha ajo.

Ndryshe, aktualisht në burgjet e Kosovës janë rreth 1650 të burgosur. Ndërsa, 1800 është numri i stafit korrektues, duke përfshirë oficerët korrektues, stafin civil dhe stafin mbështetës./kp/Telegrafi/

TAGS