Në ditën dramatike të arratisjes: Çka biseduan në telefon Zoran Zaev dhe Nikolla Gruevski?!

Në ditën dramatike të arratisjes: Çka biseduan në telefon Zoran Zaev dhe Nikolla Gruevski?!

Emad MEHMETI

Kolegu im gazetar Adrian Kerimi publikoi lajmin se si ishte arratisur ish kryeministri antishqiptar dhe i korruptuar, Nikolla Gruevski, përkatësisht lëvizjet e tij të fundi si dhe përgatitjet për zhdukjen e tij. Ky i fundit siç ishte aktor i mirë i nacionalizmit, për disa çaste u bë aktor edhe në ikje.

Por, ajo që ka mbërthyer opinionin vendas në dilema të ndryshme ishte pohimi i kolegut tim se Zaev ditën e arratisjes së Gruevskit, kishte komunikuar me të përmes telefonit.

Në shumë raste për çështje pragmatike politike harron vlerat që ka proklamuar, duke zgjedhur kështu pajtimin edhe me “armiqtë” më të mëdhenjë tē tyre e tē popullit, për të arritur deri tek qëllimi final. Kompromiset janë të shpeshta në politik, mirëpo dëmet që shkaktojnë ato janë shpesh të pariparueshme. Ndonëse çështjet juridike duhet të jene te ndara tërësisht nga ndikimet politike, në Maqedoni shpesh bëhen njësh me pushtetarët që sipas tyre proceset e rëndësishme të ecin tutje, ani pse dëmtohen çeshtjet kruciale ë reformave që sjellin deri tek e mira e përgjitshme shoqërore e synuar nga të gjithë deklarativisht.

Gruevski iku. Zaev kërkon fajtorët te “komshinjtë” që janë në NATO, e jo në shtëpi ku gjeti mundësinë e zbrazëtine e krijuar nga qeveria që të aktrojë Gruevski ikjen më mirë. Ai u bë “supermen” me zbdukjen pa u “vërejtur” nga shërbimet policore, gjoja se kjo është e vërtetē. Regjimi i tij se bashku me BDI-në sollën aq regres të madh, saqë do duhet përkushtim i jashtëzakonshëm për ta vënë në binar sistemin nē përgjithësi. Të shpresojmë se fajtori nuk do lihet jetim edhe në rastin Gruevski.

Gjithsesi nuk duhet harruar se LSDM e Zoran Zaev, pos kritikave ndaj Gruevskit një pjesë të madhe të votave shqiptare i fituan me retorikën e tyre anti BDI, edhe pse duket se funksionarëve të korruptuar dhe kriminel të kësaj partie ju ka dhënë “abolimin” e nevojshëm në kohë dhe moment të gabuar. Por kjo është një temë tjetër.

Le të kthehemi në bisedën aktuale: ditën e arratisjes burime të mirëinformuara pohojnë se megjithatë biseda Zaev – Gruevski është realizuar. Pra, pak çaste para se Gruevski të filloj realizimin e planit të tij me regji sikurse të filmave “holivudian” flitet se ai ka biseduar me Zaevin. Ish – kryeministri i cili edhe arrestimet i bënte si në një “reallity show” duke përbuzur familjarët e shoqërinë e të arrestuarve me faj e pafaj, dhe para se gjithash pa asnjë respekt për prezumimin e pafajësisë. Në këso forma Gruevski me BDI për 11 vite dhunuan çdo gjë në Maqedoni: arsimin, prokurorinë, gjyqësorin, mediat…

Prandaj, dhe është e habitshme se çfarë mund t’i është dashur Zaevit biseda me Gruevskin. Megjithatë, kjo habi mund të tejkalohet lehtë kur dihet mirëfilli se shumicën e votave shqiptare ai i mori duke thënë se edhe një pjesë e funksionarëve të BDI janë krimigjenë dhe se do japin përgjegjësi, ani pse këto premtime i mori lumi.

Nëse eventualisht vërtetohet se Gruevski pos nga shërbimi intelegjent hungarez, zyrtarë nga Shqipëria, Serbia e Mali i Zi është ndihmiar edhe nga Qeveria e Maqedonisë, kjo do të thotë se kriminelët në politik gjejnë gjuhë të përbashkët kur e do nevoja dhe interesi, edhe pse shkelin me dy këmbë mundësinë e reformimit të gjyqësorit.

Nëse Maqedonia Veriore vazhdon me funksionimin e pandëshkueshmërisë për interesa të ngushta partiake, të jeni të sigurtë, se në këtë vend të çorientuar do të banojnë vetëm gjyshet e gjyshërit e pushtetarëve. Sepse, të rinjve u jepen premtimet me përplot shpresa, ndërsa “gruevskave” u falet siguria e mirëqenia. E rinia duhet të vazhdojë ëndërrimin derisa “gruevskat” të jetojnë rehat. A ka më paradoks se ky?!