2 September 2018 / 13:32
Çdo vit i ri shkollor sjell gëzim dhe emocione për çdo nxënës veçmas. Mirëpo, rreth 50 nxënës të lagjes Bardhi të fshatit Bllacë edhe ky vit i ri shkollor do të jetë një sfidë e rëndë për të ndjekur procesin mësimor në shtet tjetër, në Kosovë, në shkollën fillore “Ilaz Thaçi” të komunës Hani i Elezit. Kjo problematikë, sipas banorëve, ndodhë për shkak të mosinteresimit të autoriteteve përgjegjëse që në këtë vend të ndërtojnë një objekt shkollor, që mungon tashmë dekada me radhë.
Kurrgjë nuk është duke u bërë. Premtojnë shumë e fëmijët ja ku janë!..Vështirë sa të dush, nëse vjen aty ku hyn e dalin fëmijët mund të gjesh shumë lloje këpucësh, i bëjnë me baltë, i len aty dhe shkojnë në shkollë..Kanë ardhur një ditë, vetëm i kanë gërryer disa gropa, i mbuluan dhe shkuan.. Nuk bëhet asgjë, asnjëherë, për këtë asnjëherë, vetëm kur vijnë zgjedhjet premtojnë që do të përfundohet edhe asgjë.
Me gënjeshtra qe 5-6 vjet që thonë kanë me ndërtuar. Fëmijët tanë shkojnë në Hanin e Elezit, atje mësojnë. Ka shumë, mbi 50 nxënës janë, edhe çerdhet, ata në çerdhe janë problem se duhet me makinë mi dërguar, janë dy kufij, ata në këmbë nuk munden të shkojnë…Me këta njerëz jo, vetëm nëse emërohen njerëz të rinj e ndryshojnë diçka se me këta që janë nuk ka kurrgjë hiç.
Fatkeqësisht, në mesin e bardhasve kishte edhe banorë të tillë të cilët kësaj radhe penguan ekipin e Alsat për të xhiruar në fshat, me arsyetimin se fshatit nuk i mungon asgjë ndërsa çdo gjë tjetër është në rregull. Ndërkohë, ministri i Arsimit, Arbër Ademi thotë se është i vetëdijshëm se në çdo vendbanim nuk mund të plotësohen kushtet moderne për arsim por në rastin konkret ministri harron faktin se banorët nuk kërkojnë kushte moderne por realizimin e një të drejte të garantuar me kushtetutë dhe të cilën institucionet janë të obliguar ta realizojnë që fëmijët të mësojnë në vendin e tyre.
Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me banorët e fshatit Bllacë, të komunës Çuçer Sandevë dhe jemi të vetëdijshëm se çdo vendbanim nuk ka kushte bashkëkohore për të vijuar procesin edukativo arsimor ashtu edhe siç parashihet në bazë të standardeve. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta, jam i njoftuar se projekti është në përfundim e sipër dhe do të ndërmarrim gjithçka nga ana jonë që të kemi zgjidhje, edhe për nxënësit e lagjes Bardhi- thotë Arbër Ademi, ministër i Arsimit.
Fshati Bllacë gjendet jo më shumë se 20 kilometra nga qendra e Shkupit. Përveç problemit më shkollën, në Bardhi mungon ujësjellësi, infrastruktura dhe transporti.
Melihate Rustemi