Alsat 2019-12-10T15:05:34+01:00
Ndërsa mungesa e kushteve dhe teksteve shkollore në shumë shkolla e vë në pikëpyetje cilësinë e arsimit formal, Ministri i Arsimit, Arbër Ademi promovon arsimin joformal, respektivisht vullnetarizmin. Ademi fton të rinjtë e moshës 18-30 vjeçare të kyçen në aktivitetet vullnetare në kuadër të Korpusit Evropian të Solidaritetit, ku sipas tij, do të përfitojnë shkathtësi në përputhje me tregun e punës. Ndërsa i pyetur për problemet, Ademi thotë se arsimi obligativ është në rrugë të mbarë.
Arsimi i obligueshëm është në rrugë të mbarë, ne jemi një nga vendet që kanë realizuar kërcimin më të madh, rezultatet më të mëdha ndërmjet dy testimeve PISA. Pas Turqisë ne jemi në vend të dytë. Kjo tregon se ne jemi në rrugë të mbarë. Kur jemi tek tekstet shkollore, javën e kaluar i kam nënshkruar kontratat me operatorët ekonomik. Së shpejti tekstet shkollore do të shtypen, do të botohen, do të distribuohen dhe do të shpërndahen tek nxënësit – deklaroi Arbër Ademi, Ministër i Arsimit.
Ndërkaq drejtorja e Agjencisë Kombëtare për programe arsimore evropiane, Lidija Dimova thotë se Korpusi Evropian i Solidaritetit iu mundëson të rinjve të vendit të bëjnë vullnetarizëm në shtete të ndryshme të botës.
Ne të gjithë këtu presim për fillimin e negociatave me BE-në. Realiteti është se kur të fillojnë, negociatat do të zhvillohen mes zyrtarëve shtetërorë, institucioneve dhe Komisionit Evropian dhe ne si qytetarë nuk do të kuptojmë asgjë rreth tyre. Por ajo që do ta kuptojmë është kur të shohim në rrugë dikë duke folur islandisht, polonisht, kur do të shohim vullnetarë nga Lihtenshtajni. Kjo e bën shtetin evropian. Dhe kush tjetër nëse jo të rinjtë?! – tha Lidija Dimova, Drejtore e Agjendës Kombëtare për programe arsimore evropiane dhe mobilitet.
Dimova nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes mes vendit dhe BE-së për të marrë pjesë në Korpusin Evropian të Solidaritetit, buxheti i së cilës për 7 vitet e ardhshme është 2 miliard euro. Përfitimet, thotë Dimova, më së shumti do t’i ndjejnë vetë vullnetarët.
Isha në Turqi dhe Islandë pas maturës dhe mund të them se më ndryshoi jeta – tha Dario Korolija, Vullnetar.
Anesa Saliu
Loading…