Në kuadër të panairit të 19-të të librit në Ulqin, janë të ftuar nderi dy shkrimtarë, ai shqiptar, Fatos Kongoli dhe shkrimtari malazez Ballsha Brkoviq. Në një takim me lexuesit, u hodh dritë mbi jetën e veprën e të dyve, ndërsa u vu theksi edhe te bashkëpunimi i kulturave, përkatësisht letërsive të rajonit, raporton Almakos.
Për krijimtarinë e Kongolit, studiuesi Behar Gjoka u shpreh se, gjithë krijimtaria e tij mbetet një letërsi identifikuese që ka në thelb njeriun dhe jetën sociale. Ndër të tjera, Gjoka e vuri theksin te romani i fundit i shkrimtarit nga Shqipëria, romani “Gënjeshtarë të vegjël”.
Nga ana tjetër, përkthyesi Nikollë Berisha do të shpaloste hapësirat krijuese të malazezit Ballsha Brkoviq, për të cilin vecoi se është një ndër shkrimtarët bashkëkohorë më të rëndësishëm për shkak të tematikës së larmishme.
Ndërkohë, vetë shkrimtarët u shprehën falenderues për lexuesin, vlerësuesit e letërsisë së tyre, si dhe organizatorët e panairit./Almakos/