Në rrugë, në Evropën e të bardhëve! (Video)

Në rrugë, në Evropën e të bardhëve! (Video)

Qindra gra punojnë si punëtore seksi në “Strada Bonifica”, ironikisht të quajtur “Rruga e Dashurisë”, në një pjesë të bregdetit Adriatik të Italisë.

Viteve të fundit, në këtë vend ka pasur rritje të madhe të numrit të grave nigeriane që punojnë përgjatë shtegut 10 milje të gjatë – disa prej të cilave janë trafikuar dhe janë detyruar të prostituojnë.

Dokumentari i mediumit të njohur britanik, The Guardian, merret me tregimet e grave viktima, të italianëve që jetojnë dhe punojnë atje dhe të OJQ-së lokale të quajtur “On the Road” (Në Rrugë) që mundohet të ndihmojë viktimat e trafikimit.

Që nga rënia e Muamar Gadafit nga pushteti dhe rritjes së numrit të azilkërkuesve nga Afrika që nga Libia hyjnë në Evropë nëpërmjet Italisë, autoritetet po përpiqen të përmbajnë situatën nën kontroll. Por, vendasit po e humbasin durimin. Vetëm në vitin 2016 nga Nigeria në Evropë kanë shkuar 11 mijë nigeriane, 80 për qind të të cilave janë detyruar në prostituim.

Të trafikuarat nga Nigeria, shpesh nga gratë e njohura si “Madam” (Zonjë), mashtrohen për t’u larguar nëpërmjet kontakteve familjare. Ato shpesh ngarkohen me borxh të papaguar dhe tmerrohen nga ritualet ‘Juju’ të magjisë së zezë vudu. Vajzat betohen për bindje dhe besojnë se nëse e shkelin atë do të sëmuren ose çmenden! Po ashtu, nëse nuk punojnë, e dinë se do të rrihen keq nga “zonjat”, transmeton Telegrafi.

“Më tha ‘zonja’ se nëse punoj për të duhet t’ia paguaj 35 mijë euro. Pranova, se thosha kjo është e lehtë në Evropë, në vendin e të bardhëve”, thotë një prej viktimave.

“On the Road” është organizatë bamirëse që ka punuar shumë për të ndihmuar punonjëset e seksit në 20 vitet e fundit. Ato tash merren me rrugën dikur të heshtur e me pak kalimtarë, ku sot janë nga 100 nigeriane në çdo kohë. Kjo OJQ shpesh ballafaqohet edhe me vajzat të mitura.

Dokumentari përcjell më së shumti një grua nga organizata “On the Road” – një ish-punëtore seksi nigeriane të quajtur Jessica, që tash është ndërmjetëse dhe aktiviste e bamirësisë. Ajo thotë se nëse më parë për shërbime femrat janë paguar me nga 20-30 euro, ato tash marrin pesë euro! Ndërsa, detyrohen të rrinë në rrugë, në vapë e në të ftohtë, me orë e ditë, të uritura e të përulura. Sipas saj, në disa rajone të Nigerisë prindërit gëzohen kur u lind vajza, me shpresën se përmes prostitucionit ajo nesër do t’i bëjë ata me para!

Ky është realizmi i radhës i regjisorit Piers Sanderson, që ka fituar shumë çmime me filmat e tij në 10 vitet e fundit. Në këtë dokumentar ai ka punuar për katër muaj, për të fituar besimin e punëtoreve sociale dhe vektimave me të cilat ato punojnë.