Në shtëpinë e këngëtarëve për festën e Bajramit: Përgatitjet e ëmbëlsirave dhe urimet e përzemërta të yjeve

Në shtëpinë e këngëtarëve për festën e Bajramit: Përgatitjet e ëmbëlsirave dhe urimet e përzemërta të yjeve

Festa e Bajramit është njëra ndër festat më të mëdha dhe të veçanta në mbarë botën.

Myslimanët anë e kënd botës e konsiderojnë këtë festë të shenjtë, pasi është dita e paqes, solidarizimit, e cila duhet të kremtohet në mënyrën më të përsosur me personat e zemrës.

Festa e Fitër Bajramit shënon njëherësh edhe përfundimin e muajit të Shenjtë të Ramazanit, muaj në të cilin në shenj mirënjohje dhe solidarizimi, shumë prej myslimanëve agjërojnë.

Kjo festë kremtohet në masë të madhe nga shqiptarët, teksa për ardhjen e saj bëhen përgatitje speciale.

Ëmbëlsirat, dreka e Bajramit dhe bakllavatë janë vetëm disa nga elementet e kësaj feste, e cila vjen ëmbël për këdo që e feston.

Duke qenë ditë gëzimi, shumë prej këngëtarëve shqiptarë janë të angazhuar që në datën kësaj feste të këndojnë nëpër vende të ndryshme, për të argëtuar njerëzit që festojnë.

Mirëpo edhe ata (këngëtarët) si të gjithë njerëzit e zakonshëm, bëjnë përgatitjet e tyre për festën e Bajramit.

Për këtë Fitër Bajram, Telegrafi vendosi të vizitojë shtëpitë e disa prej tyre për të parë se si është atmosfera festive në ambientet e tyre.

Ndonëse shumicën nga ta mund t’i gjesh në pushime ose duke kënduar diku, ka edhe disa prej tyre të cilët vendosën të ndajnë me publikun pak nga përgatitjet e tyre për këtë festë të veçantë.

Mihrije Braha

Këngëtarja e njohur Mihrije Braha ka treguar se përveçse këngëtare, di të jetë edhe një amvise shumë e mirë. Për çdo festë Bajrami, ajo kujdeset që për familjarët e saj të gatuaj gjërat më të mira.

“Të gjithë atyre që agjëruan gjatë këtij muaji, uroj që Zoti t’ua bëjë kabull. Tash e sa vite festën e Bajramit, drekën e begatë siç e do tradita, e bëj unë në fshat aty ku edhe e kemi vilën, dhe thërrasim gjithë familjen e Naimit. Mund të them se është një kënaqësi e veçantë”, tha Mihrije Braha për Telegrafin.

Ëmbëlsira që këngëtarja Mihrije Braha ka gatuar për festën e Fitër Bajramit

Për të gjithë shqiptarët që e festojnë këtë festë, këngëtarja Braha ndau edhe një urim special për Fitër Bajram.

“Uroj të gjithë shqiptarët sa më shumë që të luten dhe të jenë të ndjeshëm gjatë gjithë vitit, veçanërisht për skamnorët”, është rimi i këngëtares Mihrije Braha.

Edona Llalloshi

Këngëtarja shumë e dashur për publikun, Edona Llalloshi, i ka gjithashtu shumë të veçanta festat, në të cila mundohet që gjithnjë të jetë pranë familjes.

Ajo tregoi për Telegrafin se përgjatë gjithë muajit të Ramazanit është munduar që të sjell atmosferë feste në tryezat e saj.

“Muaji i Ramazanit ka qenë një muaj shumë i begatshëm, normalisht edhe unë si nënë jam munduar që çdo ditë të përgatis iftar të mirë, që t’ia kalojmë sa më mirë së bashku me familje”, tha Edona Llalloshi për Telegrafin.

Siç e do tradita, për çdo Bajram gatuhen ëmbëlsira, por Edona ka preferuar që kësaj radhe frutat. Në kuzhinën e saj, teksa po bënte përgatitjet për festë, Edona gatoi një ëmbëlsirë frutash dhe lëngje të freskëta për festë.

Edona llalloshi duke gatuar për Bajram në kuzhinën e saj

“Festa e Bajramit është një festë si e të gjithëve edhe në shtëpinë tonë. Është dreka e Bajramit ajo e cila na mbledh të gjithëve, dhe mundohemi t’ia kalojmë sa më mirë. Një festë e zakonshme si në çdo shtëpi të shqiptarëve”, thotë tutje këngëtarja Llalloshi.

Teksa në përfundimin e bisedës, Edona e mbylli me një urime për të gjithë shqiptarët për festën e Fitër Bajramit.

“Uroj të gjithë shqiptarë kudo që janë: Urime Festa e Fitër Bajramit. Ia kalofshi sa më mirë, sa më shumë paqe, harmoni e dashuri mes jush” – është urimi i këngëtares Edona Llalloshi.

Lori

Këngëtarja Lori ka agjëruar përgjatë gjithë muajit të Ramazanit. Ajo për Telegrafin tregoi se si ka qenë ky muaj i madhërishëm për të.

“Ashtu si vitet e tjera edhe këtë vit unë kam agjëruar. Faleminderit Zotit, më ka ndihmuar dhe me ka shkuar shumë mirë. Uroj që të gjithë ata që kane sakrifikuar, Zoti të ua ketë bërë më të lehtë agjërimin”, tha Lori.

Ndonëse jeton vetëm në Prishtinë, pë festa këngëtarja gjithmonë shkon te familja, por e njëjta nuk ka ndodhur për këtë festë – kështu ka treguar ajo në vazhdimin e bisedës për Telegrafin.

“Unë zakonisht e festoj me familjen time dhe me njerëzit e afërt. Përgatisim ushqimet tradicionale të familjes, ku vendin kryesor e zë bakllavaja që gatuan mamaja ime dhe për mua është më e mira në botë (qesh). Dhe mbas drekës së Bajramit unë zakonisht duhet të përgatitem për koncert”, ka treguar tutje këngëtarja.

Këngëtarja Lori me një fotografi të ëmbël jep urimet e saj për Bajram

Për fund, ashtu si të gjithë, edhe Lori dha një urim për shqiptarët për festën e Fitër Bajramit.

“I uroj të gjithë besimtarëve myslimanë me fat Bajramin, paqja, mëshira, dashuria, begatia mbizotërofshin në çdo shtëpi. Allahu ua pranoftë të gjithë atyre që agjëruan” – është urimi i këngëtares Lori.

Leonora Jakupi

Këngëtarja Leonora Jakupi është po ashtu një natyrë festive. Bajrami është festa e cila gjithmonë e afron me familjen e saj.

Ajo për Telegrafin tregoi se bashkë me nënën dhe motrat e saj, kujdesen që gjithmonë t’i bëjnë bashkë përgatitjet për këtë festë.

“Zakonisht për Bajram si të gjithë edhe ne pastrojmë, përgatitim ëmbëlsira. Mami është ajo e cila bën bakllavën, ndërkohë që ne të motrat i bëjmë edhe dy ëmbëlsira të tjera”, tha Leonora Jakupi për Telegrafin.

Tutje, këngëtarja Jakupi tregoi se dreka në familjen e saj është gjithmonë e veçantë, pasi për çdo festë kanë traditë të njëjtin specialitet.

“Për drekën e Bajramit mblidhemi të gjithë së bashku. Pula në tavë është specialiteti jonë i preferuar dhe i përhershëm. Është specialiteti që për çdo Bajram e përgatitim, hallva gjithashtu është pjesë e pandashme e tryezës sonë, ëmbëlsira, tomël-orizi e kështu”, tregon Leonora.

Këngëtarja Leonora Jakupi është mjaft e zonja në gatim

Fundin e bisedës, Leonora e mbylli me urimin e saj për këtë Bajram.

“Kisha pas dëshirë që shqiptarët për këtë festë t’i shoh sa më të bashkuar, sa më solidarë. Uroj që edhe të gjithë ata që janë jashtë vendit, të gjenden pranë familjarëve për këtë festë. Të solidarizohemi, t’i ndihmojmë njerëzit në nevojë, sa më pak sëmundje, sa më pak shqetësime. Gjithë të mirat” – është urimi i Leonora Jakupit për festën e Fitër Bajramit.

Korab Shaqiri

Këngëtari Korab Shaqiri dhe bashkëshortja e tij Lulkaçela e kanë çdo festë të veçantë. Për Telegrafin, këngëtari Shaqiri tregoi se si ishte muaji i Ramazanit për të.

“Muaji i shenjë i Ramazanit është muaji i sakrificës, në këtë muaj njerëzit e sfidojnë veten e tyre dhe i afrohen sado pak me fizik dhe mendim atyre që janë në nevojë. Ishalla zoti ua ka pranuar agjërimin të gjithë besimplotëve”, tha Korab Shaqiri për Telegrafin.

Tutje, ai tregoi se është bashkëshortja e tij, ajo që bën gatimet në shtëpi, ndërsa për ndihmesë, ai e bënë këtë gjë duke kryer punën e një shijuesi.

“Unë bashkëshortes i ndihmojë me dijet dhe aftësitë e mija që kam për kuzhinën, gjithashtu jam një testues i saktë gatimesh”, tha ai.

Ëmbëlsirat e përgatitura në familjen e këngëtarit Korab Shaqirit për Bajram

Për fund, Korabi jep urimin e tij për gjithë shqiptarët që festojnë festën e Fitër Bajramit.

“I uroj të gjithë besimtarëve, urime festën dhe nga zemra i urojë botës, paqe, harmoni dhe shumë shumë dashuri! Urime, i juaji Korab Shaqiri” – është urimi i këngëtarit dhënë nëpërmjet Telegrafit.

Dafina Dauti

Këngëtarja Dafina Dauti ishte po ashtu njëra ndër këngëtaret që agjëroi gjatë muajit të Shenjtë të Ramazanit. Për Telegrafin, ajo tregoi shkurtimisht se si ishte ky muaj për të.

“Si vitet e kaluara, edhe këtë vit unë e kam agjëruar muajin e Shenjtë të Ramazanit, faktikisht e kam prit që sa kohë këtë muaj që veç më ka mbushur më shumë me begati, lumturi shpirtërore, qetësi dhe rikthim në kuptimin e plotë të vlerës së jetës”, tha Dafina Dauti për Telegrafin.

Në vazhdimin e bisedës, këngëtarja tregoi se si për çdo Bajram, ajo kujdeset që të bëjë përgatitjet më të mira për festë bashkë me vajzën e saj, Elizabetën.

“Festën e Bajramit zakonisht e pres me familjen time, bëjmë përgatitjet bazë që i bën pothuajse çdo familje. Ëmbëlsirat padyshim janë të pranishme, mirëpo mendoj që më me rëndësi janë përgatitjet shpirtërore”, tregoi tutje këngëtarja.

Këngëtarja Dafina Dauti dhe vajza e saj, Elizabeta

Për gjithë shqiptarët që e festojnë këtë festë, Dafina ka një urim të veçantë për ta.

“Urimi im është që çdo besimtarë në këtë ditë të ketë buzëqeshje në fytyrë e sofrën plotë, sidomos fëmijëve, pasi e presin me padurim. Po ashtu, uroj që njerëzit të kenë më shumë dashuri e solidaritet mes vete” – është urimi i Dafina Dautit për festën e Fitër Bajramit. /Telegrafi/

TAGS