Në tregun e dreqërve i vogli është më i shtrenjtë se i madhi

Në tregun e dreqërve i vogli është më i shtrenjtë se i madhi
Tash esht Koha

Hamdi Nuhiju

E dini të gjithë rrëfimin e njeriut që kishte vendosur për të blerë një dreq. Del në tregun e dreqërve dhe pyet për çmimin e dreqërve. Shikon një dreq të madh që po rrinte mënjanë dhe disa dreqër të vogël të renditur në tezgë. Pyet tregtarin e dreqërve cili është më shtrenjtë, cilin ma sugjeron ta blej? Varet çfarë do, ia kthen tregtari. Ndërsa kur jemi te çmimi, nuk ka dyshim se këto të vegjlit janë më shtrenjtë se i madhi. E pse na qenka ashtu , e pyet blerësi i habitur?! Sepse i vogli ( lexo dreqi) është i biri i dreqit.

Edhe skena politike në Maqedoninë e Veriut në kohë zgjedhjesh është shndërruar në një treg dreqërish. Blerësit janë të hutuar dhe nuk dinë se si të veprojnë. Hutimit po i ndihmojnë tregtarët duhet ndërruar tezgat me një veprim të vetëm, lyerjen e tyre me ngjyrat e partisë.

“E majta maqedonase” një lagje parti për nga forca politike ka kapur hapësirën kryesore reklamuese në qytetin e Kumanovës. Në anën tjetër, koalicioni “Mundemi” që udhëheq me të gjitha institucionet e vendit ka vendosur banderola në qytetin e Kumanovës sikur të ishte një organizatë rinore fetare e cila po jep mesazhe Ramazani për vetëdijesimin e të rinjve.

Kampanja zgjedhore në spektrin politik shqiptar ka marr hovin e një sprinti me dëshirën për të nisur dhe përfunduar sa më shpejt. Po ngjan sikur përgatitja e familjarëve për të vizituar bregdetin shqiptar. Një natë para nisjes për në udhëtim i bën gati të gjitha rrobat, ushqimet, kujdesesh për dokumentet e udhëtimit, për barnat për rrugën, të gjitha. Proces që me patjetër do të përfundoje shpejt dhe pa dhimbje.

Të rinjtë nga të gjitha partitë politike shqiptare po përdoren si mirëmbajtësit e stazës së sprintit, ndërsa përfituesit e situatave, sikur pengesat në rrugë.

E djathta dhe e majta shqiptare në Maqedoninë e Veriut është e paketuar dhe e padallueshme. Dallohen vetëm ngjyrat. Më falni për lëshimin, kohët e fundit janë nisur edhe ato të ngjajnë.

Programet e partive politike asesi të futen në funksionin e ndryshimit të gjendjes së shqiptarëve. Për shembull, është e habitshme situata me Komunën e Likovës, me të cilën gjithmonë ka udhëhequr një parti: e furnizon me ujë për pirje tërë Komunën e Kumanovës, ndërsa banorët e saj në shekullin XXI nuk kanë ujë për pirje. Është i habitshëm edhe rrugëtimi politik i ish eksponentëve partiak. Duken sikur kanë vendosur dy këmbët në çizmen e djathtë ose të majtë. Në këtë mënyrë të bllokuar mund që të qëndrojnë vetëm si statist në një ngjarje.

U bë shumë zhurmë për sandalet e ministrit të kulturës, Hysni Ismaili për një ngjarje pa protokoll, në natyrë, ndërsa u harruan vendimet gjyqësore në kohë të kampanjës zgjedhore. A nuk habiteni me bisedën informative që sot iu bë liderit të opozitës maqedonase, Hristian Mickoski?

Të njëjtën gjë e ka bërë Gruevski dhe VMRO-DPMNE në kohën kur ata ishin në pushtet. Kur iku Gruevski për në Hungari, njerëzit e këtij nënqielli shpresuan për ndryshim, e jo për vazhdimin e gjendjes së njëjtë.

Ndoshta dikush kërkon zhvendosje të vëmendjes, e tjetri kurban. Por në një gjë jam i sigurt, tregtarët e dreqërve do të janë përfituesit më të mëdhenj pas 15 korrikut të vitit 2020.

Tash esht Koha