Alsat 2020-03-26T14:31:45+01:00
Liderët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian pritet të miratojnë vendimin për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në video-konferencën e pasdites, të tretën me radhë të organizuar rreth pandemisë, është paralajmëruar se liderët e BE-së do ta miratojnë konkluzionin e Këshillit të Përgjithshëm rreth zgjerimit, respektivisht vendimin për çeljen e negociatave me Shkupin e Tiranën. Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani theksoi se e rëndësishme është që BE-ja përfundimisht vendosi për fillimin e negociatave dhe se kur do të mbahet takimi ndër-qeveritar varet kryesisht nga rrjedha e situatës me pandeminë.
Sipas paralajmërimeve që i kisha para pandemisë, plani për ne ishte që konferenca e parë ndër-qeveritare të mbahej diku në qershor. Tani Këshilli i dha Komisionit mandat të përgatisë kornizë negociuese, e njëjta duhet të miratohet në mënyrë që të mbahet konferencë ndër-qeveritare. Megjithatë tani për shkak të pandemisë vendimi se kur mund të mbahet konferenca ndër-qeveritare nuk mund të thuhet, sepse edhe BE-ja ashtu si e gjithë bota funksionon në kushte të jashtëzakonshme – tha Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Osmani paralajmëroi rigrupim të ekipeve negociatore në përputhje me kategoritë e parashikuar me metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së. Pritet po ashtu që Këshilli Evropian t’i lejojë Maqedonisë së Veriut qasje në Fondin Evropian të Solidaritetit, derisa ditëve të fundit BE-ja i ndau Shkupit rreth 65-70 milion euro ndihmë urgjente për përballje me pasojat e COVID 19.
Anesa Saliu
Loading…