Nesër përfundon faza e parë e repelimit të kafshëve në Malishevë

Nesër përfundon faza e parë e repelimit të kafshëve në Malishevë

Në komunën e Malishevës është duke u bërë repelimi i kafshëve, me qëllim të parandalimit të bartjes së rriqrave, nga fushat në shtalla.

Kjo është duke u bërë në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), në territorin e Komunës së Malishevës.

Kështu thuhet në një njofitm për media, ku fushatën e repeilimit të kafshëve, në ditën e parafundit të fazës së parë, e ka inspektuar edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili e drejton edhe shtabin komunal për menaxhimin e situatës endemike nga EHKK në Malishevë.

Këtë fushatë, nënkryetari Berisha e ka vlerësuar lartë dhe ka thënë se është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme, pasi repelimi vlerësohet si masa më efektive në parandalimin e përhapjes së virusit të EHKK. Kjo gjithashtu pamundëson bartjen e rriqrave përmes kafshëve dhe në të njëjtën kohë edhe ndërprenë ciklin e rriqrave, të cilët janë bartës të virusit.

“Jemi në vitin e gjashtë që nuk kemi raste të vdekjeve dhe në vitin e pastë që nuk kemi asnjë rast të infeksionit me EHKK, e në këtë ka ndikuar më së shumti repelimi i kafshëve, andaj jemi të angazhuar në vazhdimin e repelimit të kafshëve, por edhe të masave tjera, dhe varësisht nga situata në terren, do të fillohet edhe me fushatën e dezinfektimit të zonave endemike”, tha Berisha.

Në njoftim po ashtu thuhet se sot është vizituar fshati Mirushë, ku ekipet e specializuara janë duke bërë repelimin, pikërisht në fermën e fermerit Zeqir Thaçi.

Ndryshe, fushata e repelimit, përfundon nesër, në fshatrat Berishë dhe Fshat i Ri, ndërsa sipas të dhënave, janë repeluar rreth 20 mijë kafshë të trasha dhe të imëta. /Telegrafi/

TAGS