Nga KQZ tregojnë se kur përfundon numërimi i votave me postë

Nga KQZ tregojnë se kur përfundon numërimi i votave me postë

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve me postë, proces ky i cili sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi është duke shkuar mirë dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi.

Elezi për KosovaPress tha se procesi i numërimit të rreth 13 mijë e 500 fletëvotimeve, të cilat kanë ardhur përmes postë është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë.Madje ai është shprehur optimist se ky proces do të përfundojë sonte, ndonëse në mëngjes është thënë se numërimi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se deri tani nuk kanë hasur në ndonjë pengesë, dhe se numërimi i votave me postë është duke u përcjell edhe nga vëzhgues të partive politike dhe organizatave jo qeveritare.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, në këtë proces të numërimit të fletëvotimeve që kanë ardhur përmes postës nuk janë duke u numëruar ato vota, të cilat kanë arritur pas përfundimit të afatit për pranim të fletëvotimeve me postë e që ka qenë data 5 tetor.Rezultati i këtij numërimi është duke u përditësuar kohë pas kohe në tabelën e QNR-së.

Deri në këto momente janë numëruar gjithsej 5242 fletëvotime nga numri total 13 mijë e 491 vota.Në bazë të rezultatit prinë Lëvizja Vetëvendosje me 2553 vota, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me gjithsej 972 vota. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës deri tani ka marrë 825 vota nga diaspora.

Koalicioni AAK-PSD deri tani ka marr 369 vota kurse koalicioni Nisma- AKR-PD ka marr gjithsej 356 vota.Gjatë ditës kreu i KQZ-së Valdete Daka ka parë nga afër në QNR procesin e numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë.