Nga vjen akullorja që hanë shqiptarët, rritja e importit dyshifrore

Nga vjen akullorja që hanë shqiptarët, rritja e importit dyshifrore

Edhe për vitin 2018, importet e akulloreve kanë shënuar sërish rritje. Sipas të dhënave nga Doganat janë importuar gati 548 tonë akullore me vlerë, 1.7 milionë dollarë, me një rritje dyshifrore prej 16% në krahasim me një vit më parë. Megjithatë në krahasim me periudhën 2014-2015, importet e akullores në sasi janë rreth 4 herë më të ulëta. Në pesë vitet e fundit importet e akulloreve kanë qenë më të larta gjatë 2015-s, ku u importuan 2200 tonë me akullore. Gjithsesi importet kanë hyrë sërish në trendin rritës.

Duke qenë se akullorja është një produkt që konsumohet kryesisht gjatë stinës së verës, edhe rritja e numrit të turistëve që kanë vizituar vendin gjatë sezonit, ka ndikuar që ky produkt të konsumohet më shumë. Përveç importeve, edhe prodhimi vendas ka shfaqur tendenca rritëse, ku po kthehen sërish në modë prodhimi i akullores në mënyrë artizanale.

Akullorja e importuar hyn me një çmim mesatar prej 3 dollarë për kilogramë.

Në vitin 2017, shqiptarët kanë konsumuar zyrtarisht 1588 ton akullore (prodhim vendas +import), ose rreth 0.6 kg për frymë. Kjo sasi llogaritet ndër më të ulëtat në Europë. Sipas të dhënave të Statisca.com, rekord për konsum akulloresh në Europë mbajnë vendet nordike, Suedia, Finlanda, Norvegjia me 10-12 kg për frymë në vit. Në shtetet e tjera, konsumi luhatet mes 4-7 kg. Më i ulët është në Bullgari, me 0.9 kg në vit. Në botë kryeson Zelanda e re, me më shumë se 20 kg për frymë në vit dhe pas saj vijnë SHBA-të me rreth 20 kg në vit.

Italia, mbreti i tregut jo vetëm botëror

Italia është vendi i origjinës së ëmbëlsirës së akullores, e cila bëhet kryesisht me qumësht dhe sheqer. 70% e importeve të akulloreve në Shqipëri kanë origjinën nga Italia, por edhe një pjesë e prodhuesve kryesore në vend, kanë sjellë traditën e prodhimit në vendin fqinj. Pjesa tjetër e akullores së importuar, pra rreth 30% vjen nga Greqia./monitor