Nile Rodgers: Michael Jackson më shpëtoi nga alkooli dhe droga

Producenti dhe tekstshkruesi, Nile Rodgers, gjatë karrierës ka punuar me emra të shumtë të muzikës, si Madonna, Michael Jackson, Diana Ross, David Bowie e Daft Punk.

Në një intervistë për The Sun, ai ka treguar disa detaje të panjohura deri më tani në lidhje me jetën e tij,

Ai ka thënë se dashurinë për muzikën ia kishin nxitur legjendarët e grupit “The Beatles”.

“Nuk do ta mësoja kurrë kitarën po të mos ishin ata (‘The Beatles’). Kënga e parë që kam mësuar ta luaj ka qenë ‘A Day In The Life’”.

“Është një këngë e jashtëzakonshme. Tash jam një mik i mirë me Paul McCartneyn”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu:

Në ndërkohë, një ndikim të madh në jetën dhe karrierën e tij e ka pasur Mbreti i muzikës pop, Michael Jackson, i cili i ka ndihmuar që ta lë drogën.

Miqësia e tyre daton nga viti 1973, kur Nile e kishte grupin “New York City”, ndërsa Michael ishte pjesë e grupit “The Jackson 5”.

“Njerëzit nuk i kuptojnë raportet e mia me Michael. Ai ishte tipi tekanjoz në ‘Jackson 5’. Unë isha tipi tekanjoz te ‘New York’. Bum. Kjo ishte dashuri”, ka kujtuar Rodgers.

Edhe pse ishin miq të ngushtë, bashkëpunim i tyre kishte ardhur vonë, në vitet e nëntëdhjeta.

“Kisha një problem të madh me alkoolin dhe drogën. Michael vazhdimisht më thoshte se duhej të hiqja dorë dhe t’i kthehesha muzikës”.

“Asokohe punonte në albumin ‘HIStory’ dhe më ftoi. Dëshironte të punoja me të. “, ka thënë Nile, i cili asokohe ishte në rehabilitim për vartësinë ndaj alkoolit dhe drogës.

Rodgers thotë se rikthimin në karrierë ia ka borxh Jacksoni, i cili i ka ndihmuar që t’i lë edhe shprehitë e këqija. /Telegrafi/

TAGS