Nisin arrestimet, EULEX vë në pranga ish-shefin e inteligjencës së FSK-së dhe ish-komandantin e UÇK-së

Nisin arrestimet, EULEX vë në pranga ish-shefin e inteligjencës së FSK-së dhe ish-komandantin e UÇK-së

Salih Mustafa, ish-shef i inteligjencës së FSK-së dhe ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit, i cili e ka drejtuar njësitin e quajtur BIA, është arrestuar sot.



Siç raportojnë mediat, ai është arrestuar nga EULEX-i, në mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij. Arrestimin e konfirmoi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala, i cili theksoi se ende nuk kanë njoftim zyrtar për shkaqet e arrestimit.

“Po e konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa, zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes. Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kur do ta kemi informacion shtesë do të ju njoftojmë me kohë”, tha ai.

Ndërkohë familjarët kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi se Mustafa, sipas deklaratave të zyrtarëve të EULEX-it, është nisur në drejtim të Hagës.

Mustafa ishte intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, në nëntor të vitit të kaluar, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.