Një lagje e kryeqytetit në hall me vërshimet e ujit

Një lagje e kryeqytetit në hall me vërshimet e ujit

Reshjet e mëdha të shiut që ishin të pranishme gjatë javës në Prishtinë kanë bërë që një pjesë e rrugës ‘24 maji’, të kaplohet nga uji. Banorët shprehet të irrituar me mos reagimin e organeve përgjegjëse, duke theksuar se e njëjta gjendje përsëritet sa herë bie shi.

Banori i lagjes, Hamdi Kryeziu me tone të ashpra thotë se për shkak të grumbullimit të një sasie të madhe të ujit për një moment ka shpërthyer dhe rruga para shtëpisë së tij është vërshuar.

Sipas tij, këso probleme kanë vazhdimisht dhe interesimi për të sanuar nga komuna dhe ujësjellësi nuk po është i duhuri.

“Në kohën kur ka ra shi shumë ujë është mbledhur sipër është grumbulluar dhe ka shpërthyer menjëherë këtu ka dal si kur ujëvarë. Këta po me thonë mua, komshi se iu ka hy brenda dhe pak i ka dëmtuar. Sigurisht shtëpitë atje poshtë. Këso probleme kemi dhe me kanalizim këtu, nuk shkon asnjë muaj pa shpërthyer këtu…nga ana e komunës ne i kemi lajmëruar se përndryshe atyre as nuk iu ka interesuar kjo punë….na ma shumti kemi probleme dhe me ujësjellës dhe kanalizim çdo herë kemi probleme, një shi i madh si të rritet dalin ujërat e zeza dhe kur i riparojnë nuk i riparojnë si duhet”, tha ai.

Disa qytetarë të tjerë janë shprehur të pakënaqur me këtë gjendje duke akuzuar komunën dhe ujësjellësin për mos efikasitet.

Kurse në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e ujësjellësit, Arjeta Mjeku-Azizi ka thënë se krejt kjo po ndodh për shkak se sistemit i kanalizimit dhe ai atmosferik janë të përbashkëta. Ajo u shpreh se kapaciteti i kolektorit nuk po mundet t’i përballoi të dy sistemet dhe për këtë po ka vërshime.

Mjeku: Kapaciteti i kolektorit nuk i përballon të dyja sistemet e përbashkëta

“Ekipet tona të mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit në atë vend intervenojnë shpesh e që do të intervenojnë dhe tash. Kapaciteti i kolektorit nuk i përballon të dyja sistemet e përbashkëta”, tha zëdhënësja Mjeku.

Përkundër insistimit të KosovaPress-it, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu nuk është përgjigjur në pyetjet e drejtuara për këtë problem./kp/Telegrafi/

TAGS