Latif Mustafa
Lëvizjen Besa, që nga themelimi e deri në çarjen e saj, e kam përcjellë së afërmi. Kryetari i saj, përmes një deklarate sot u shpreh se Lëvizja Besa është themeluar si antipod i BDI-së. Kjo gjë nuk qëndron. Nëse merrni dhe lexoni platformën e parë politike dhe paraqitjet në kuvendin themelues, platformën Ridefinimi – që nuk arritë asnjëherë të definohet mirëfilli përmes koncepteve dhe modeleve aktuale politike – përfshi edhe fushatat e tjera, Lëvizja Besa u themelua si subjekt politik i cili do të dekonstruktonte mekanizmat politik të shtetit, burimi i të cilave rëndonte mbi reformën agrare të mbretërisë SKS, e që zhvillimi dhe shtresat shtypëse moderne të këtij sistemi do të vazhdonin gjatë periudhës socialiste të Jugosllavisë dhe do të kulmonin me periudhën e tranzicionit gjatë shkatërrimit të Jugosllavisë.
Në këtë kontekst koniunkture edhe pluralizmi politik në Maqedoni si tezë prodhoi partitë politike me të njëjtën mendësi dhe instrumente të rezultuara nga vetë sistemi e deritanishëm, kurse si antitezë partitë shqiptare të cilat ndiqnin modelin e rezistencës së partive shqiptare në Kosovë dhe në një formë en bloc Maqedonia funksiononte si miniaturë e shtetit serb. Nomenklatura dhe dispozitivët e shndërruan shtetin si projektuesin e vetëm politik dhe identitar pjesë e së cilit përfshihej edhe platforma e zhbërjes të çdo iniciative kolektive dhe vullneti të përgjithshëm shqiptar e cila bazohej në rezistencën kundër sistemit dhe nacionalizmin si parim të mobilitetit social e politik. Pika ku Lëvizja Besa ishte kundër BDI-së, është pikërisht këtu. Me një fjalë kundërshtimi i integrimit si platformë e zhbërjes së vullnetit popullor dhe bërjes së subjektit shqiptar si pasojë e një marrëveshjes së Ohrit.
Me një fjalë, Lëvizja Besonte se ky shtet do të duhej të ridefinohej dhe rikonstruktohej në saje të komplementaritetit të dy kombeve të konsoliduara plotësisht, e që nuk do të projektoheshin nga regjime të caktuara shtetërore, por shteti do të ishte “kontrata shoqërore” ose “mit të paqes” që garanton jetën, liritë, mendimin, pronën dhe trashëgiminë shoqërore. Lëvizja Besa para integrimit pjesor këmbëngulte në bërjen tërësore të mendësisë politike shqiptare, në vend të shtetit të zgjedh kombin dhe në vend kozmopolitizmit të zgjedh nacionalizmin. Por kjo ishte krejt në fillim, krejt para se lëvizja të rritej dhe brenda saj të futeshin individ të cilët do të fillojnë të përhapin mosbesimin, përçarjen dhe lëkundjen duke i shtyer një pjesë të mirë të kryesisë të bëjnë kompromis me parimet që ata vetë i kishin vendosur vetes e që do të kulmonte me goditjen shkërmoqëse që do t’i jepte koalicioni LSDM-BDI gjatë zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Koalicioni LSDM-BESA e shpronëson Lëvizjen Besa nga motivet dhe ideja origjinale e themelimit të këtij subjekti, duke iu mbartur legjitimiteti plotësisht subjektit politik AlternAtivA. Alternativa është mbartësi origjina i idesë. Përkundër lehtësisë që AlternAtivA të bëj koalicion me LSDM-në dhe të sigurojë fitoren e saj, ajo megjithatë, e shtyu deri në fund durimin e saj për ta rikonfirmuar edhe njëherë përpjekje e saj, si në dashurinë e ditëve të para kur e kishin themeluar lëvizjen BESA, që ta kthenin vullnetin politik shqiptar dhe të zgjedhin konsolidimin e kombit para shtetit si projektues kombesh; realizimin politik para integrimit nënrenditës dhe para shqiptarit kulturor kanë zgjedhur shqiptarinë politike. Këto epitete, qoftë edhe të zbehura, i artikulon dhe i frymon AlternAtivA. Dhe kjo, i jep privilegjin e vetëm të mbartjes së idesë dhe frymës së vetme të BESËS së dikurshme. Për këtë, normalisht, merita të mëdha ka lideri Aleancës për Shqiptarët, i cili në mënyrë brilante arriti ta mishëroj politik përvojën dhe maturinë politike në realizimin paraprak të koalicionit ASH-AAA.
Akti i koalicionimit dëshmon për moskontinuitetin dhe lindjen e një subjekti tërësisht të ri, që akoma quhet Lëvizja BESA dhe tani penetron në një projekt tjetër politik. Një arsye tjetër, që e solli Lëvizjen Besa deri në këtë pikë është edhe tipologjia e një “kozmopolizanizmi islam” e cila vjen në saje diskursit të një rryme fundamentale islamike brenda lëvizjes Besa. Ky lloj “kozmopolitizmi” asocohet me nocionin e “umetit mysliman” si bashkësi politike e cila transcendon “kombin” si ide politike. Ky lloj diskursi “umetin mysliman” në vend se ta paraqes si bashkësi shpirtërore e interpreton si bashkësi politike e cila i nënshtrohet dhe integrohet brenda shtetit të caktuar. Konvergjimi i dy “kozmopolitanizmave” atij të LSDM-së si mekanizëm aplikues për promovimin e shtetit si instancë më të lartë politike dhe “umetizmit mysliman” të BESËS si njësi më e lartë politike tejkombëtare pajton këto dy taborre politike në një koalicion politik.
Në përgjithësi, koalicioni LSDM-BESA, nuk është politike dhe e hijshme të ngarkohet me shtresa semantike negative dhe kategorinë etike të tradhtisë. Gjegjësisht, Lëvizja Besa, ka zgjedhur një projekt tjetër politik. Ka zgjedhur integrimin para realizimin, shtetin para kombit dhe vullnetin parcial para kombit si njësi universale mbi të cilën shihet dhe konceptohet bota. Por se cila është më e mirë debati teorik vazhdon.
Termet dhe kualifikimet si “tradhtarë” dhe të ngjashme, besoj që nuk janë me vend dhe tejkalojnë realitetin politik të koalicioneve. Lëvizjes Besa i duhet një brendim i ri, një program i ri politik dhe model tjetër funksionimi nëse nuk mendojnë të shkrihen në LSDM. Është e drejtë e saj. Kurse për ecejaken e saj politike i mbetet të vendosë elektoratit të saj. Por ama kësaj here, kontributin më të madh që do t’ia jepnim demokracisë është shpierja e BDI-së në opozitë. Ajo ka nevojë për një këndellje politike dhe kjo është e mundshme veç në opozitë. Lodhja nga pushteti shpërfaqet në çdo paraqitje të saj publike. Ajo çka shqiptarët presin më së shumti është një projekt i detajuar politik i ASH-AAA, ofertë konkrete politike që do t’i bëjë shqiptarët qenie të dinjitetshme politike, tua ruaj vullnetimin politik dhe t’i bëj qytetarë të barabartë me etnitë tjera në republikën e Maqedonisë së Veriut.