Një muaj paraburgim dy të dyshuarve për vjedhje në Vushtrri

Një muaj paraburgim dy të dyshuarve për vjedhje në Vushtrri

Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në këtë qyte, dhe i ka caktuar një muaj paraburgim dy të dyshuarve E.H nga fshati Mihaliq i komunës së Vushtrrisë dhe F.Z nga Vushtrria, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale“Grabitja”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit E.H dhe F.Z, më 10 korrik rreth orës 09.20 në Vushtrri, duke vepruar së bashku, me përdorimin e forcës dhe me kanosje serioze për të sulmuar jetën personit tjetër, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

“Dy të dyshuarit të pajisur me maska kanë hyrë në një filial të transferimit të parave, ku dëshmitares/të dëmtuarës F.F, të dyshuarit i kanë kërkuar para, ku i dyshuari E.H i cili ka pasur të veshur jakne të gjelbër dhe duke mbajtur dorën e majtë në xhepin e majtë të jaknës dhe duke drejtuar dorën me jakne në drejtim të dëmtuarës, duke dhënë shenjë se ka armë, fillimisht i ka bërtitur të dëmtuarës për t’i dhënë para, pastaj ka hyrë në arkë dhe nga aty ka marrë para në vlerë prej 250 €, si dhe ia ka hapur të dëmtuarës çantën duke i marrë portofolin, ndërkaq i dyshuari tjetër F.Z ka qëndruar brenda lokalit duke bërë roje”, njofton kjo gjykatë.