Spanja, Austria dhe Belgjika u janë bashkuar Francës dhe Gjermanisë në përkrahje të embargos së armëve për Turqinë shkaku i ofensivës ushtarake të këtij vendi në pjesën verilindore të Sirisë. Italia, megjithatë, ende nuk ka ndonjë qëndrim për këtë çështje.
Parisi dhe Berlini kanë ndërprerë shitjet e armëve për Turqinë gjatë fundjavës, ndërsa Finlanda dhe Holanda gjithashtu kanë deklaruar se do ta bëjnë të njëjtën gjë. Diplomatët evropianë e vlerësojnë këtë veprim si hapë të parë në vargun e sanksioneve të BE-së, të cilat mund t’i vendosen Turqisë si presion për t’i ndaluar sulmet në Siri.
“Ne nuk duam që ta përkrahim këtë luftë dhe nuk duam që të vendosim armë në dispozicion për këtë konflikt”, tha ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, gjatë një takimi me homologët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, ministri i jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, tha: “Kjo ofensivë do të shkaktojë shkatërrim serioz humanitar. Kërkoj nga vendet e BE-së që të mbajnë një qëndrim të vendosur për eksportimin e armëve në Turqi”.
Vetëm vitin e kaluar, Turqia ka blerë armë në vlerë prej 45 milionë eurosh nga vendet e Bashkimit Evropian. Vendet që i kanë shitur më së shumti armë Turqisë në vitin 2018 janë Italia, Spanja, Britania e Madhe dhe Gjermania, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.