Një verdikt tejkushtetues për një dekret tejkushtetues

Një verdikt tejkushtetues për një dekret tejkushtetues

Vlerësim i shkurtër i Aktgjykimit KO 72/20 të Gjykatës Kushtetuese.

1. Dekreti i presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër të vendit ka qenë tejkushtetues, pra ka shkuar tej kompetencave të tij kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka adaptuar dhe adoptuar konceptin tejkushtetues si normë në aktgjykimin e vet të lëndës KO/20. Ja katër shembuj në vijim.

2. Koha: Gjykata Kushtetuese konstaton se Kushtetuta nuk parasheh afate kohore në të cilat Partia fituese e zgjedhjeve duhet t’ia japë emrin e mandatarit Presidentit. Por, pas këtij konstatimi fillon të përcaktojë vet kohën. Thotë se procesi nuk mund të shkojë i paafatizuar, pastaj cek afate në procese të tjera vendimmarrje –sa ditë për të votuar Qeverinë e presidentin,- dhe në fund përcakton ‘që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi’.

“Sa më shpejt’ nuk ekziston si formulim në Kushtetutë për arsye të thjeshtë sepse nuk është kategori e matshme. Çka është sa më shpejt për dikë mund të jetë e ngadaltë për dikë tjetër. Përcaktimi kohor ‘sa më shpejt’ si obligim kushtetues nuk besoj të ketë precedent në botë e as në çfarëdo kontrate juridike.

3. Bllokimi: Gjykata Kushtetuese konstaton se procesi i konsultimit nuk mund të bllokojë funksionimin e institucioneve. Megjithatë, Kushtetuta nuk ka nen që e ndalon këtë. Sikur me konceptin ‘kohë’ , çka është bllokim për dikë nuk është bllokim për dikë tjetër. Për më tepër, bllokimi apo zhbllokimi janë mjete legjitime politike në parlamentarizëm.

4. Natyra e konsultimit: Gjykata Kushtetuese konstaton se natyra e konsultimit mes Presidentit dhe partisë fituese në rastin e parë është ‘teknike dhe formale’. Në rast se dështon në përpjekjen e parë, Presidenti ka atëherë të drejtën diskrecionale për konsultim të ‘natyrës’ tjetër. Kushtetuta, megjithatë, nuk përcakton ‘natyra’, rrjedhimisht nuk mund të përcaktojë thellësinë e gjerësinë e komunikimit mes Presidentit dhe Partisë e cila propozon emrin e mandatarit.

5. Shterja: Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se LVV në letërkëmbimin me Presidentin nuk ka refuzuar dhënien e emrit të mandatarit e megjithatë ka vlerësuar se Presidenti pas katër letrave ‘me të drejtë ka konstatuar shterimin e mundësive kushtetuese për të përcaktuar një kandidat për Kryeministër nga partia politike fituese e zgjedhjeve’. Meqë LVV shprehimisht ka thënë se nuk po refuzon dhënien e emrit të mandatarit, Presidenti i vendit ka përdorur deduksionin, hamendësimin apo mjete të tjera kognitive për të konstatuar ‘shterimin e mundësive kushtetuese’.

Por, deduksioni, hamendësimi apo ndonjë mjet tjetër kognitiv nuk janë normë kushtetuese. Në rastin e letërkëmbimit mes Presidentit dhe kryetarit të LVV kemi të bëjmë me obligimin e dy palëve për kontraktualitet. Çkado që dy palët mendojnë për njëri-tjetrin, kanë obligim ta përmbyllin kontratën apo ta refuzojnë shprehimisht përmbylljen e saj. Hamendësimi i Presidentit se a e ka pala tjetër seriozisht apo jo është tejkalim i kompetencave kushtetuese siç është edhe përkrahja që i bën këtij hamendësimi Gjykata Kushtetuese.

6. Mandatimi i A.Hotit për kryeministër është akt legjitim, por vetëm pasi këtë mandatimin do ta refuzonte në formë eksplicite LVV në kohën kur për këtë të ishte e bindur.

7. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në këto pika, pa mbështetje në Kushtetutën e Kosovës krijon problem legaliteti dhe problem legjitimiteti.

Në aspektin legal rithirrja kontinuele e Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur dilemat e interpretimit të normave të Kushtetutës i shndërron Aktgjykimet, si në këtë rast ashtu edhe në të mëparshmet, në norma të reja kushtetuese e më të vlefshme se vet Kushtetuta. Futja e kategorive si ‘sa më shpejt’ dhe të deduksionit e hamendësimit të Presidentit si norma faktike kushtetuese e çojnë aktin më të lartë juridik në hapësira të papara juridike si këtu ashtu edhe në botë.

Nga ana tjetër, interpretimet e këtilla vënë në dyshim legjitimitetin demokratik të institucioneve që ndërtohen më pas. Një Qeveri e Kosovës e ndërtuar në saje të një verdikti të këtillë të Kushtetueses mban pa faj të vetin hijen e dyshimit të cilën ia ka vu një verdikt i këtillë. Në vend të rolit unifikues rreth idesë bazike të sundimit të ligjit, një aktgjykim i këtillë shërben për të thelluar ndasitë politike e shoqërore.