Nuk do të quhet më “Arena Kombëtare”, kompania e fluturimeve blen emrin e stadiumit

Ndeshja e 17 nëntorit mes Shqipërisë dhe Francës do të inaugurojë stadiumin e ri kombëtar “Air Albania Stadium”.

Ky do të jetë emri që do të mbajë impianti më i madh dhe më
modern sportiv i ndërtuar në vendin tonë. Kompania ajrore shqiptare është
përzgjedhur si fituesja e tenderit për të blerë emrin e stadiumit kombëtarë për
5 vitet e ardhshme për një shifër prej 650.000 euro në vit.

Kjo ishte oferta më e madhe financiare që i është ofruar
shoqatës “Qendra Sportive Kuqezi” e cila administron stadiumin e ri kombëtar,
ndërkohë që në garë ishin edhe kompani hidrokarburesh BolvOil, kompania
telefonike Vodafon apo kompania e sigurimeve Sigal, shkruan Top Channel.

Gjithçka mes kompanisë Air Albania dhe shoqërisë aksionere
“Qëndra Kuqezi ” do të firmoset ditën e hënë për t’i dhënë ehe udhë zyrtare
këtij bashkëpunimi. Një emër komercial për një stadium ndodh për herë të parë
në Shqipëri dhe ka qenë shpesh herë edhe temë debati dhe diskutimi, megjithatë
kjo është një nga mënyrat më të mira të administrimit të impianteve të tilla
sportive të cilat kanë një kosto të lartë mirëmbajtjeje vjetore.

Ndërkohë që në mbarë botën praktika të tilla ku kompani të
mëdha sponsorizojnë dhe vendosin emrat e tyre në emra klubesh apo impiantesh
futbolli, janë të shumtë. Vetëm një ditë më parë kompania e studimit dhe
këshillimit të bizneseve për të maksimalizuar të ardhurat Duff&Phelps, ka
analizuar tregun e emrave komercial që mbajnë impiate të ndryshme sportive në
Europës.

Sipas këtij studimi në Bundesligë 80% e stadiumeve kanë emra
komercialë, ndërsa në Premier League janë 30% e impianteve me emra të tille,
10% në Serie A dhe Ligue 1 dhe 5% në La Ligan e Spanjës. Në Bundesligë, 28% e
akordeve për emrat e stadiumit janë me kompani financiare, 17% me kompanitë e
automobilizmit, 5% me kompanitë e energjisë dhe 33% me kompani të tjera.

MEDIAL.mk