27 Tetor 2018 / 16:41
Të rralla janë shkollat fillore ose të mesme në vend që ofrojnë kushte të përshtatshme për pranimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar, posaçërisht të atyre që lëvizin me ndihmën e karrocës. Për shkak të kushteve të këtilla shumë fëmijë me aftësi të kufizuara janë të detyruar të lënë në gjysmë procesin edukativo arsimor. Përveç korsisë së improvizuar në hyrje të shkollës, këto të fundit nuk posedojnë asnjë alternativë tjetër ndihmëse që do të kishte mundësuar lëvizjen e tyre të lirë. Drejtoresha e shkollës “Imri Elezi” tha se për nxënësit e saj në këtë gjendje ka siguruar vetëm klasat në katin e parë duke iu mundësuar edhe mos ndërrimin e kabineteve.
Në katin e parë të jetë prej klasës së parë, e njëjta klasë, mos të lëviz, të jetë deri në fund të klasës së nëntë. Ajo është kushti I parë që kemi ofru, edhe pse është pak mundim shkaku se nga parkingu fëmijën duhet ta sjell prindi, brenda ta fut karrocën, ti ndihmon por, solidariteti te fëmijët është diçka e paparë, mundohen, I ndihmojnë, normal do të ketë nevojë të del jashtë prej klasës, atëherë mundohen fëmijët, nuk I angazhojmë prindërit të rrijnë gjithë kohën më fëmijën”- tha Merita Koxhaxhiku, nga Sh.F “Imri Elezi”.
Kreu i Çairit, Visar Ganiu pranon se kjo problematikë është shqetësuese dhe për të njëjtën është folur kohët e fundit në këshillin e komunës. Ai tha se me buxhetin e vitit 2019 parashihen projekte të cilat do të adaptojnë shkollat me kushte të përshtatshme për pranimin e fëmijëve të tillë.
Por kuptohet që ka disa mënyra për ti zgjedh ato, ne do të mundohemi për buxhetin e vitit 2019 kemi mjetet të parapara në këtë drejtim dhe kuptohet në bazë të studimit që do të bëhet apo projektit që do e përgatisin të na ofrojnë disa mënyra dhe cila mënyrë do të jetë më funksionale dhe më e kapshme për komunën mendojmë se do të fillojmë ta realizojmë në vitin 2019”- u shpreh Visar Ganiu, kryetar i Komunës Çair
Alsat kontaktoi shumë familje të cilat kanë fëmijë me aftësi të kufizuara por asnjë prej tyre nuk deshi të flas para kamerës sonë. Pavarësisht kësaj, ata thonë se fëmijët e tyre ballafaqohen me probleme shumë të madhe duke nisur nga shtëpia e tyre e deri në shkollë. Gjatë rrugës, thonë prindërit, fëmijët ballafaqohen me infrastrukturë të shkatërruar, trotuare të bllokuara, autobusë jo të përshtatshëm dhe shumë të tjera.
Melihate Rustemi