Fshati Isniq i komunës së Deçanit është një prej vendeve, bukuritë natyrore të së cilit kanë bërë për vete çdo vizitor, raporton emisioni #gjesi në T7.
Gazetare: Gelina Maloku
Malet dhe bjeshkët ia japin këtij vendi një pamje të mrekullueshme. Por, pos bukurisë natyrore, Isniqi ka edhe vlera të shumta kulturore.
Ishte pikërisht guri i energjisë që e frymëzoi koleksionistin Miftar Januzaj të grumbullojë eksponate të ndryshme të trashëgimisë shqiptare.
Të gjitha këto, ai i ka të vendosura në oborrin e tij.
Çdo hap drejt këtij oborri është një hap mbrapa në histori, çdo eksponat ka një rrëfim në vete.
E udhëtimi në kohë, që para 6 mijë vjetëve, fillon me të hyrë në oborrin e Januzajt.
Në muzeun, të cilin ai e ka quajtur “Etno Kastrioti”, gjenden rreth 1000 eksponate të periudhave të ndryshme kohore.
Me këtë, ai ka për qëllim të bëjë grumbullimin e gjërave me vlerë dhe ta ruajë historinë e popullit shqiptar.
Përmes këtyre eksponateve, secili vizitor mund të shohë jetën mbretërore të shekujve të kaluar. Në mesin e gjësendeve janë pjatat në të cilat mbretëritë kanë darkuar, e të cilat kanë një dizajn shumë të veçantë.
Duke parë angazhimin e Miftar Januzit, komuna e Deçanit ka marrë përsipër krijimin e një hapësire të re afër shtëpisë së tij, me qëllim që t’i vendosë të gjitha këto eksponate në të njëjtën hapësirë./GazetaExpress/