Oligarkia ka marrë peng Shqiperinë

Oligarkia ka marrë peng Shqiperinë

Shkruan: Anisa Bahiti

Çdo ditë në media, në rrjetet sociale e në debatet politike dëgjojmë të sulmohet oligarkia dhe oligarkët. Shumicës së njerëzve fjala oligark, i duket si markë Coca-Cola. Megjithatë bëhet fjalë për një nga fenomenet më të njohura të vendeve në tranzicion ku një grup i vogël njerëzish monopolizojnë dhe përqëndrojnë tregun e kapitaleve të parave publike dhe private, monopolizojnë tregun meditatik dhe politik, pra të gjithë pushtetin në pak duar.

Më konkretisht në Shqipëri filloi gjatë qeverisjes Berisha, ku të gjithë tenderat publike jepeshin në pak duar. Vijoi më vonë me Rilindjen, që jo vetëm tenderat publike, por edhe të gjitha koncesionet publike në shëndetësi, në ndërtim, në shërbime po ato duar po ato emra.

Tashmë gjendemi që i njëjti aktor, i cili merr fondet publike në shëndetësi, merr ato në ndërtim të veprave publike, merr gjithashtu edhe ato në terrene për të ndërtuar fshatra turistike etj. Tashmë oligarkia është zgjeruar në media ku marrin më shumë territor dhe bëjnë luftë kundra njëri-tjetrit, sepse edhe tregun mediatik e mbajnë me para publike në formë reklamash.

Me pak fjalë aksioma është se me pushtet bëhet para, ato ndahen mes pushtetarëve dhe 5-6 oligarkëve, me para mbahet pushteti dhe zotërohet propaganda që njerezit të mos ngrenë më krye. E thjeshtë oligarkët dhe pushteti me të cilin ata bashkëjetojnë mbahet me paratë e taksapaguesve, pra të njerëzve të thjeshtë që janë ata që paguajnë taksat e tyre nga biznesi i vogël apo tatimet personale.

Ndërkohë kur s’ka më para atëherë shtohet borxhi publik, të cilin e paguajnë prapë njerëzit.

Vitet e fundit oligarkët duken të qartë, blejnë edhe përfaqësuesit e trupit diplomatik në Tiranë, së fundi diplomatët e huaj nuk ruhen fare a gjatë daljeve të tyre në publik, sa me pushime, sa në dreka apo darka, sikur të ishin yje kinemaje që paguhen për reklama.

Oligarkia shkon deri aty saqë sponsorizon një ligj kundër medias së pavarur, gjoja ligj anti shpifje që të gjejë sebep të mbyllë median online dhe rrjetet sociale. Sigurisht në një situatë të tillë vështirë të pretendosh se në Shqipëri mund të ketë investime të huaja apo kompani të mëdha ndërkombëtare. Sigurisht vështirë të mendosh se do zhvillohet bujqësia, turizmi apo sektori manufakturier. Së fundi makina e pangopur e oligarkëve po thith edhe paratë që vijnë nga tregu kriminal.

Ata nga borxhlinj më të mëdhenj të bankave po kthehen edhe në aksionerë të bankave, me parimin shumë të mëdhenj për tu rrënuar, derisa ta rrënojnë tërësisht Shqipërinë. Ata financojnë edhe lëvizje gjoja të reja politike “nën emrin e mbështetjes ndërkombëtare” që gjoja do të sjellin ndryshimin, për të bërë patericën e tyre.

Shqiperia ka vetëm një zgjidhje PËRMBYSJEN, ai që do ta merrte seriozisht përmbysjen e tyre dhe të kastës politike që ata mbajnë në këmbë, do të kishte të rinjtë me vete. Ai që ka të rinjtë me vete ka pushtetin dhe shpëton Shqipërinë, ndryshe rinia do të vazhdojë largimin nga Shqipëria dhe në këtë vend do të ngelin vetëm oligarkët dhe shërbyesit e tyre, politikanët dhe partitë ortake të tyre, të moshuarit dhe të varferit, si edhe sirianët, filipinasit dhe të ardhurit nga Bangaldeshi, të cilët do të jenë krahu i lirë i punës për oligarkinë!