Olta Shega: Ju tregoj mënyrën për të qenë gjithmonë në modë

Olta Shega: Ju tregoj mënyrën për të qenë gjithmonë në modë

Egla Xhemali – Të duash të bukurën dhe ta përçosh atë përmes fotosh. Me të takohemi në kënde ngjyrash dhe nuancash, në ditë të ngrohta dhe në dimrin e ftohtë, në udhëtime të provuara e të paprovuara ende, për të rrokur të fshehtat e fashionit në një mënyrë krejt ndryshe. Pasioni i madh për veshjet, kozmetikën si dhe detaje të tjera që janë të rëndësishme për vajzat e ka bërë Olta Shegën të jetë personazhi më “In” i rrjeteve sociale.





Kush është Olta.photoholic në Instagram dhe Olta në përditshmëri?
Si fillim do të doja t’ju falënderoja ju, që më dhatë mundësinë të realizoja këtë intervistë. Olta.photoholic është një person i apasionuar pas udhëtimeve, fashion, kozmetikës dhe fotove. Ndërsa, Olta në jetën e përditshme është nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar pas familjes.

Çfarë të tërhoqi kaq shumë në pasionin tënd për të qenë “in” në rrjet, me veshje, kozmetikë, fotografi të realizuara në mënyrë perfekte?
Gjithmonë më kanë pëlqyer fotot e bukura. Kam shpenzuar orë të tëra duke gjetur vendin, ndriçimin, peizazhin dhe akoma më shumë duke realizuar fotot. Edhe kur nuk merresha me rrjete sociale kam dashur që fotot që realizoja të ishin të bukura. Veshjet dhe kozmetika luajnë një rol të rëndësishëm në realizimin e një fotoje, pasi ato janë filtrat “natyrale”, që një person ka në dorë dhe është pikërisht kombinimi i tyre, që e bën një foto unike. Si çdo gjë e bukur që shpeshherë fillon pa plan, fillimisht fotot i publikoja në Instagramin tim thjesht për kënaqësi, por me kalimin e kohës shumë firma të njohura filluan të më kontaktonin dhe donin që të bashkëpunoja me ta dhe kështu filloi e gjitha.

A ka mbetur vetëm si pjesë e Instagramit puna e fashion blogereve apo ka ecur në Youtube, me kanale personale ku ndjekësit mund t’ju ndjekin edhe pse nuk kanë një llogari në Instagram?
Për momentin jam fokusuar më tepër tek Instagrami, pasi dhe punën më të madhe e kam aty. Dëshira është që të kem dhe një kanal personal në Youtube, ku të publikoj produktet, me të cilat unë punoj dhe besoj se shumë shpejt do të jem dhe aty.

Të gjitha veshjet që përdor për postimet në Instagram janë të tuat apo ka një funksionim ndryshe për realizimin e tyre?
Pjesa më e madhe e veshjeve që unë publikoj në Instagram janë të sponsorizuara nga firmat me të cilat unë punoj, të cilat ngelen të miat.

Veshja më e çuditshme që ke veshur apo postimi më e i çuditshëm që sigurisht është pritur me reagime nga ndjekësit e tu?
Të them të drejtën nuk kam pasur ndonjë postim me veshje të çuditshme, pasi gjithmonë kam veshur rroba, që jam ndjerë rehat dhe më kanë pëlqyer, por nëse do përmend një foto që ka pasur reagime do të përmendja foton që kam bërë kur kam qenë shtatzënë me vajzën. Në foto kisha dalë në pishinë me rroba banjo dhe kisha ngjitur stickera (smiley face) tek barku.

Blogeret ndjekin modën apo e bëjnë modën?
Për mendimin tim do të thosha të dyja. Ndjekin modën, duke reklamuar, publikuar veshjet, të cilat shpeshherë janë vetë firmat e njohura ndërkombëtare që kontaktojnë me to duke i kërkuar që të reklamojnë veshjet e tyre, dhe më beso që këto firma kanë goxha suksese nëpërmjet një promocioni të tillë. Por, nga ana tjetër ka shumë blogere të njohura, që kanë krijuar linjat e tyre të veshjeve me një stil të veçantë dhe ndryshe dhe shumë shpejt janë kthyer në modë.

Është e lodhshme të merresh me një postim që të dalë sa më i ndjekur për shumë kohë? Sa kohë të merr një foto e realizuar?
Çdo punë ka lodhjen e vete. Nëse do që të realizosh diçka atë veçantë dhe unike duhet patjetër ti kushtosh kohë dhe të punosh derisa të arrish rezultatin që kërkon. Për sa i përket kohës së realizimit të një fotoje duke u nisur që nga gjetja e vendit, veshja, shkrepja, përpunimi dhe postimi do të thosha mesatarisht diku tek 2-3 orë.

Fashion, udhëtime, kozmetikë, çfarë nuk gjen në atë faqen tënde, por tek cila e gjen veten ti më mirë?
Tek të gjitha. (qesh) Udhëtimet për mua vijnë të parat në listë dhe më pas Fashion. Sa herë që udhëtoj diku shoh gjëra të reja. Është pikërisht kultura, historia, arti i vendeve të ndryshme që ka ndikuar në evolucionin e modës, dhe firmat e njohura bazohen pikërisht në këto detaje. Por, do të thosha përsëri që kombinimi i tyre është perfekte për të realizuar diçka me të vërtetë unike dhe të veçantë.

Olta është diplomuar për Drejtësi. Si është të ndash kohën mes ligjit dhe pasionit për fotografinë dhe modën?
Po zotëroj diplomë master i shkencave në të drejtë penale dhe punoj në një zyrë ligjore. Që të ndjekësh edhe pasionin edhe punën është pak e vështirë dhe duhet që t’i menaxhosh të dyja sa më mirë të mundesh. Normalisht orët e paradites ia dedikoj punës. Pjesa tjetër e ditës e ndaj duke u kujdesur për familjen dhe fotove. Shpeshherë fotot i realizoj gjatë fundjavës, pasi dhe atëherë kam mundësinë që të dal më herët dhe të gjej ndriçimin e duhur për foto.

Një këshillë për të gjithë ndjekëset e tua, sepse besoj pjesën më të madhe i ke vajza apo jo?
Po, vajzat janë ato që më ndjekin më shumë. Këshilla ime për to është që të ndjekin pasionin e tyre deri në fund, për të pasur sukses.

TAGS