Opozita kërkon komision të ri për sëmundje ngjitëse

Opozita kërkon komision të ri për sëmundje ngjitëse

Opozita maqedonase ka dalë përsëri me kërkesën e lansuar kohë më parë, për shpërbërjen e Kkomisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe formimin e një komisioni të ri, duke akuzuar se anëtarët aktual janë partiak. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski, ka akuzuar Komisioni dhe Qeverinë se kanë dështuar në menaxhimin e krizës me pandeminë KOVID19.

Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE

“E kemi patjetër të konstatojmë se Komisioni për sëmundje infektive duhet të pësojë ndryshime. Përse e themi këtë? Na duhet një komision i përbërë prej profesionistëve, i cili nuk do të punojë në bazë të kërkesave të Filipçes dhe Zaevit. Na duhet komision që me të vërtetë do të sjellë masa, do të kërkojë masa që do të kenë ndikimin në uljen e numrit të infektuarve. Ky komision nëse nuk ndryshohet, do të duhet të mbaj përgjegjësi për këtë situatë”

Nga LSDM janë kundërpërgjigjur duke pranuar se situata me pandeminë është përkeqësuar, por ata thonë se trendi i këtillë alarmues është në gjithë botën dhe jo vetëm në vendin tonë. Nga partia më e madhe në pushtet rikujtuan se komisioni ka propozuar masat e reja dhe të njëjtat tanimë janë në procedurë parlamentare, ndërsa po mendohet edhe për masa shtesë nëse shifrat rriten edhe më tej.

Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së

“Me këto masa, mbajtja e maskës në ambient të hapur do të bëhet e obligueshme, do të ndalohet grupimi në më shumë se 4 persona në të hapur, si dhe vizita në shtëpi prej më shumë se 4 personave.Nëse numri i të infektuarve vazhdon të rrite, Komisioni që nesër, do ti propozoj Qeverisë që të kufizohet transporti publik në 50% të kapacitetit, të ndalohet të gjitha evenimentet dhe të ndalohet puna e të gjithë operatorëve ekonomik në ora 23:00″.

VMRO-DPMNE edhe para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, pati kërkuar që të shpërbëhet Komisioni për Sëmundje Ngjitëse duke fajsuar edhe atëherë se anëtarët janë në shërbim të LSDM-së dhe ministrit Venko Filipçe.