“Ora e Tahir Deskut” i jepet Kaltrina Malokut

“Ora e Tahir Deskut” i jepet Kaltrina Malokut

Çmimi letrar “Ora e Tahir Deskut”, të cilin për çdo vit e jep Komuna e Klinës, Drejtoria e Kulturës, këtë vit i është dhënë shkrimtares së re Kaltrina Malokut për romanin “Britmat e shpirtit” botuar vitin e kaluar nga shtëpia botuese “Armagedoni”.

Shkrimtarja Kaltrina Maloku, e cila sot e ka pranuar këtë çmim në sallën e asamblesë komunale të Klinës, ka thënë se ky çmim e motivon për të shkruar dhe botuar edhe në vitet e ardhshme. “Ndarja e çmimit me emrin e shkrimtarit, publicistit dhe reporterit të luftës së UÇK-së, Tahir Desku, është nder i madh për mua, por edhe motiv për të vazhduar që të shkruaj në të ardhmen”, tha Maloku.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se organizimi i orës letrare, përveçse përkujton shkrimtarin e shquar Tahir Deskun, është edhe një vlerësim për krijuesit dhe talentët e vargut poetik.

“Çmimet që i ndajmë sot, edhe pse janë tepër modeste, janë mirënjohje për krijuesit”, është shprehur kryetari Elezaj.
Për figurën e Tahir Deskut ka folur shkrimtari Mikel Gojani i cili para të pranishmëve e ka vlerësuar lart figurën e Deskut, kurse për romanin “Britmat e shpirti” ka folur shkrimtari Hajdin Morina, të cilët kanë qenë anëtar jurie për dhënien e këtij çmimi.

Shkrimtarja Maloku deri më tani ka botuar dy romane “Heshtja e Kohës” (2015) dhe “Britmat e shpirtit” (2017) si dhe librin për fëmijë “Ma fal buzëqeshjen” (2018). /Telegrafi/

TAGS