15 Nëntor 2018 / 16:11
Pas arratisjes skandaloze të Nikolla Gruevskit në Hungari, në opinion u paraqit edhe kryeministri hungarez Viktor Orban. Gazetarët e atjeshëm insistuan të marrin përgjigje për bazën mbi të cilën Gruevski qëndron në Budapest dhe pse ai nuk është në zonën e transitit gjatë kërkimit të azilit.
Kjo është çështje juridike, përgjigjen kërkojeni te avokatët- u përgjigj Orban.
Orbani nuk u përgjigj se si Gruevski ka mbërritur deri në Budapest. A ka shfrytëzuar rutë ilegale ose me pasaportë të rrejshme ka mbërritur në një vend anëtar të BE-së. Misterin me arratisjen e ish-kryeministrit është duke e hetuar edhe Prokuroria kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsion. Kanë hapur lëndë në bazë të informacionit dhe presionit të opinionit.
Lidhur me këtë ngjarje ekzistojnë baza të dyshimit se disa zyrtarë të caktuar, duke keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tyre, i kanë mundësuar të dënuarit që në mënyrë ilegale ta braktisë Republikën e Maqedonisë. Objekti i është ndarë prokurorit kompetent dhe në kuadër të procedurës parahetuese janë lëshuar urdhra për grumbullimin e të dhënave që kanë të bëjnë me ngjarjen- thonë nga Prokuroria kundër Krimit të Organizuar.
Dy ditë pasi që Gruevski edhe zyrtarisht informoi përmes Facebook-ut se është në Hungari, MPB-ja është duke hetuar nëse ka pasur policë që i kanë ndihmuar ish-kryeministrit që të arratiset.
MPB-ja është duke punuar në vërtetimin e mënyrës me të cilën personi i dënuar Nikolla Gruevski e ka braktisur territorin e Maqedonisë. Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale kontrollon përfshirjen e nëpunësve policorë, ndërsa Sektori i Punëve të Brendshme, Shkup, kontrollon mënyrën e arratisjes dhe ndihmësit e mundshëm- thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Si është arratisur Gruevski mbetet mister dhe deri tani gjithçka mbetet spekulim. Sot veprimin e ish-kryeministrit refuzoi që ta komentojë edhe kushëriri i tij i parë dhe ish-drejtor i policisë sekrete, Sasho Mijallkov.
Ndryshe, sot në Gjykatën Penale kishte edhe seancë ku është i akuzuar Nikolla Gruevski. Avokatët e tij kundërshtonin që t’i gjykohet në mungesë me arsyetimin se ai kërkon azil politik, ndërsa si mbështetje e treguan sërish mendimin e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi i cili konstatoi se Gruevski është i diskriminuar në procesin gjyqësor për rastin “Tanku”. Pikërisht ky dokument mund të jetë arsyeja që ish-kryeministrit t’i mundësohet azil, e me këtë edhe liri. Kryetari i Komisionit, Aleksandar Dashtevski, përndryshe mbështetës i madh i VMRO-DPMNE-së, sqaroi për Alsat-in se mendimin që e kanë dhënë, nuk ka qenë për të shërbyer si alibi i Gruevski për të marrë azil. Dashtevski si dëshmitar për përndjekje politike dëshmoi edhe në gjykatën në Selanik në favor të dy të arratisurve Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski.
Bojan Stojanovski
Loading…