Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, i cili gjendet për vizitë njëditore në Bruksel ku prezantoi raportin e përgatitur me Kombet e Bashkuara, për MEDIAL-n thotë se ka sinjale pozitive për fillimin e negociatave me BE-në para majit, por mbetet me rëndësi që Ligji për Prokurorinë Publike të miratohet me koncensus në Kuvend që t’iu hiqen argumentet atyre vendeve të cilat janë kundër zgjerimit të BE-së.
Edhe krahas asaj që Ligji për PP-në nuk është shënuar si kusht formal nga ana e Bashkimit Evropian, si dhe ajo që çështja de fakto është zgjidhur, zëvendëskryeministri insiston për rëndësinë e marrëveshjes politike rreth kësaj çështje.
“PP-ja nuk është kusht formal, ndërsa çështjet të cilat duhej t’i zgjidhte ligji tashmë janë zgjidhur: lëndët, arkivi, të punësuarit i ndërmerr PP-ja, që domethënë se PP-ja vazhdon aty ku mbeti PSP-ja, ndoshta edhe më mirë, kur e shohim se çka po ndodh”, thotë Osmani, duke shtuar se “miratimi i ligjit me koncensus ka edhe kuptim simbolik, sepse do të dëshmonin se kur bëhet fjalë për korrupsion të lartë, politik arrijmë koncensus, dhe kjo mund të jetë porosi e fuqishme deri te vendet anëtare për gatishmërinë e fillimit të negociatave”.
Ditët e fundit, tha ai, është optimist më i madh rreth miratimit të ligjit. Megjithatë nëse nuk miratohet, ai ka frikë se vendet anëtare do të munden ta shfrytëzojnë që pastaj ta kushtëzojnë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, konferencë e cila zyrtarisht e shënon fillimin e negociatave. Gjatë kësaj ai paralajmëron se mosmiratimi i këtij ligji paraqet rrezik që Maqedonia e Veriut të gjendet edhe pas Shqipërisë në vlerësimin për progresin e reformave.
“Vendet anëtare do ta kishin më të lehtë të thoshin se nuk jemi të gatshëm, veçanërisht kur Shqipëria i përmbush nëntë kriteret e Bundestagut dhe paramendoni situatën nga të parët në pako të jemi të fundit, Shqipëria me nëntë kushte, ndërsa ne me minus një, edhe pse nuk është kusht formal”, sqaron zëvendëskryeministri për MEDIAL-n.
Këshilli Evropian i ardhshëm në të cilin Maqedonia e Veriut mund të shpresojë për datën e shumëpritur për negociata do të mbahet kah fundi i marsit. Por, paraprakisht vendet anëtare të BE-së presin që Komisioni Evropian të publikojë raport në të cilin do ta ofrojë reformën e metodologjisë së negociatave të cilën e kërkon Franca nga tetori. Raporti duhej të publikohej nesër, por është shtyrë për pesë shkurt”, konfirmon Bujar Osmani. Sipas informacioneve të tij ky raport do të ofrojë tri ndryshime kyçe në procesin e negocimit: mbajtjen e premtimeve, udhëheqjen politike të procesit nga ana e vendeve anëtare dhe dinamikë më të madhe.
“Udhëheqja politike nënkupton përfshirje të vendeve anëtare në gjithë procesin e përgatitjeve me qëllim që të mos ketë befasi në vetë Këshillat e BE-së, gjegjësisht ekspertët e vendeve anëtare të mund ta ndjekin procesin nga fillimi deri në fund, që të mos njoftohen me rezultatin e vetë Këshillit”, tha zëvendëskryeministri.
Gjegjësisht, të mos përsëritet befasia e tetorit, kur Franca edhe krahas gjithë optimizmit të shumicës së vendeve anëtare dhe kushteve të përmbushura nga ana e Maqedonisë së Veriut kundërshtoi fillimin e negociatave.
Raporti do të duhej të sjellë edhe lloj të ri të grupimit të kapitujve të negociatave, tha Osmani, e kjo domethënë që në vend të 33 kapitujve do të vendosen pesë të ashtuquajtura “grupime”.
Bujar Osmani në Bruksel prezantoi raport të përbashkët të Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe zyrës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP. Raporti paraqet kontroll të situatës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2035 me dhe pa negociata të filluara me Bashkimin Evropian., dallimet në skenarët janë drastike, sipas rezultateve të analizës.
“Për shembull, nëse tani papunësia është 17 për qind, kanë filluar negociata, në vitin 2035 do të kishim pesë për qind papunësi, përderisa pa negociata do të binim maksimum në 14 për qind, por nuk do të mundnim nën këtë. Ky është dallim i madh. Shembull tjetër është jetëgjatësia e qytetarëve, që tani është 75 vjet. Pa negociata në vitin 2035 do të ishte 77 vite, ndërsa me negociata të filluara 82 vite”, sqaroi Osmani për MEDIAL-n.
Ai shton se është “me rëndësi të dinë qytetarët se me secilën mundësi të humbur nga ana e qeverive dhe politikanëve drejtpërdrejtë iu merren vitet e jetesës, cilësisë së jetës, standardet ekonomike”.
Raporti gjithashtu përcakton se emigrimi i njerëzve, veçanërisht i të rinjve, nuk ka të bëjë me mungesën e vendeve të punës, por me pagat e ulëta që ofrohen, ndërsa për rritjen e rritjes dhe përmirësimin e kushteve ekonomike, negociatat me BE-në janë faktor kyç.
“Njerëzit nuk largohen sepse nuk ka vende pune, por se pagat nuk e ndjekin standardin e jetës, kemi shumë investime të huaja të cilat rëndë gjejnë punëtorë, e para sepse nuk kanë fuqi pune të kualifikuar, ndërsa e dyta është për shkak të pagave të ulëta. Vetëm negociatat dhe rruga evropiane qojnë në përmirësim të standardit, mënyra e vetme që t’i mbajmë në shtet ose t’i kthejmë është që të fillojmë negociata, sepse ajo është fuqia e vetme motorike që të arrijmë deri te gjysma e standardit evropian deri në vitin 2035, ndërsa konvergjencë totale 2050. Ky skenar është vetëm me negociata. Mund ta paramendoni se si do të jetë pa negociata dhe pa BE-në”, komentoi zëvendëskryeministri.