Pacolli: Raportimet se unë e rraha oficerin e sigurisë, inskenim i mediave

Deputeti i Aleancës për Kosovë të Re (AKR), Islam Pacolli ka thënë se raportimet e medieve se e ka rrahur oficerin e sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë është inskenim.

Ai këto komente i ka bërë në foltoren e Kuvendit ku ka theksuar se ai është penguar që të hyjë brenda objektit, ndonëse e ka treguar kartën e deputetit.

“Inskenimet tjera janë të pavërteta. Mediat të mos propagojnë një ngjarje të pavërtetë. Mund të them se ajo çfarë kanë shkruar nuk është e vërtetë. Të gjithë ata që punojnë në institucionet e Kosovës duhet t’i përfillin ligjet e Kosovës. Nuk mund të ketë fobi antiligjore punonjësit, plus të jenë brenda Qeviersë. Ata njerëz që janë brenda institucioneve ta respektojnë ligjin”, ka shtuar Pacolli.

Ndryshe, të martën në media u raportua se është arrestuar deputeti i AKR-së, Islam Pacolli për shkak se ka sulmuar oficerin e sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë. /Telegrafi/

TAGS