19 Tetor 2018 / 15:16
Pas letrës drejtuar kreut të opozitës, ndihmës sekretari amerikan për Evropë dhe Euroazi, Ves Miçel dërgon në Shkup zëvendësin e tij, Metju Palmer. Zyrtari i lartë amerikan para vizitës së të hënës theksoi se Marrëveshja e Prespës është e vetmja rrugë për në NATO dhe BE dhe se alternativë tjetër nuk ka.
Ata që mashtrojnë opinionin maqedonas duke thënë se mund të sigurojnë të ardhme evropiane për fëmijët e tyre pa kompromiset që kërkon Marrëveshja e Prespës, nuk i bëjnë shërbim vendit të tyre. Është e rëndësishme të theksohet se e ardhmja evropiane kërkon nga Maqedonia dhe Greqia ta pranojnë në tërësi. Të zbatohet. Nuk ka zgjidhje alternative, nuk ka Prespa plus, nuk ka diçka që na pret pas ndonjë skaji, nëse Kuvendi i Maqedonisë nuk e voton me shumicë prej 2/3 këtë marrëveshje”- u shpreh Metju Palmer, zëvendës ndihmës sekretari amerikan për Evropë dhe Euroazi.
Nga ambasada e SHBA-ve njoftuan se Palmer do të takojë zyrtarë partiak, por pa precizuar agjendën.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Metju Palmer do të udhëtojë në Maqedoni më 22 tetor për të diskutuar mbështetjen e SHBA-ve për Marrëveshjen e Prespës dhe rëndësinë e agjendës së Maqedonisë për reformat. Ai do të takojë zyrtarë të Qeverisë dhe partive politike, përfshirë Zoran Zaevin dhe Nikolla Dimitrov”- thonë nga Ambasada e SHBA-ve.
Profesori Llazar Llazarov vlerëson se vizita e Palmerit dhe porositë e SHBA-ve duhen marrë seriozisht. Nëse dështon Marrëveshja e Prespës, Llazarov nuk përjashton mundësinë e izolimit të vendit dhe bllokimit të proceseve integruese.
Nëse Evropa dhe Amerika kuptojnë se ne nuk duam, se mbetemi në atë këmbëngulje, atëherë do të na thonë “Çfarë të doni bëni!”, do të na lënë në vend të ndyrë dhe do të marrim fund, do të jetojmë në një izolim të plotë, në varfëri, do të vazhdojë ikja masive e qytetarëve nga vendi, do të mbetemi vend i pleqve, vend pa të ardhme”- theksoi Llazar Llazarov, profesor.
Vizita e zyrtarit amerikan, Palmer do të ndodhë një ditë para Ditës së VMRO -së, 23 Tetorit. Ndërsa vizita e fundit e tij, respektivisht ajo para referendumit korrespondoi me festën e Ilindenit, me ç’rast takoi Presidentin, kryeministrin dhe kreun e VMRO DPMNE-së. Ndërkohë ambasadori i Rusisë në BE, Vlladimir Çizhov ditë më parë tha se Marrëveshja e Prespës nuk është e mirë dhe se Rusia është kundër zgjerimit të NATO-s në Ballkan, duke ia propozuar Maqedonisë si alternativë Unionin Ekonomik Euroaziatik.
Anesa Salihu