26 Dhjetor 2018 / 15:44
Propozimi/ligji për Agjencinë për zbulim të brendshëm nuk parashikon vlerësimin dhe selektimin e të dhënave të cilat do të barten nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, pas transformimit të saj. Me Agjencinë e re parashikohet vetëm rregullimi i periudhës së ruajtjes së të dhënave që do të sigurojë Agjencia, por nuk precizohet se çfarë do të ndodhë me të dhënat e mbledhura që do të trashëgohen nga DSK-ja.
Të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara gjatë zbatimit të masës për mbledhje të fshehur të të dhënave dhe informacioneve, kur vendoset që janë me vlerë për masën e zbatuar, ruhen në Agjenci, në periudhë prej tre vitesh, duke llogaritur që prej skadimit të kohës për zbatimin e masës. Të gjitha të dhënat në regjistrin e gjykatës për personin ndaj të cilit është dhënë urdhri ruhen 10 vite kurse pas skadimit të afatit, asgjësohen – thuhet në Ligjin për Agjencinë për Zbulim të Brendshëm.
Shumica e të dhënave që posedon DSK-ja për persona të caktuar që ka ndjekur, datojnë prej dhjetëra vitesh dhe hapen dilema për vlefshmërinë e tyre në ruajtjen e sigurisë së vendit. As DSK-ja nuk ka pasur dispozitë për afatin e ruajtjes së të dhënave që ajo deri tani ka siguruar dhe as për përditësimin e tyre bazuar në vlerën e vërtetë të zbulimit.
Propozimi i ri po ashtu nuk saktëson se në çfarë rrethanash drejtori i Agjencisë së zbulimit të brendshëm do të mund të urdhërojë sigurimin e të dhënave për persona të caktuar nëpërmjet bashkëpunëtorëve të fshehur, personave me identitet të fshehur, nëpërmjet blerjes së fshehur të lëndëve ose ndjekjes së fshehtë. Drejtori do të ketë edhe kompetencë të plotë mbi sistematizimin e të punësuarve në Agjenci dhe dhënien e pëlqimit përfundimtar për punësim.
Aktin për organizim të brendshëm dhe punë në Agjencinë dhe aktin për sistematizim të vendeve të punës e sjellë Drejtori – thuhet në Ligjin për Agjencinë për Zbulim të Brendshëm.
Kjo i jep mundësinë drejtorit individualisht të bëjë vlerësimin e pozitës dhe kompetencave të të punësuarve. Agjencia për zbulim të brendshëm do të jetë trashëgues i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, por organ në vete. Ndryshimet bëhen në kuadër të reformave në shërbimet e sigurisë pas skandalit të përgjimeve masive. Megjithatë, kontestues është fakti që edhe Agjencia për zbulim të brendshëm do të ketë të drejtën e përgjimit edhe pse muaj më parë filloi me punë Agjencia Teknike Operative për të cilën u tha se do të kishte të drejtën ekskluzive të ndjekjen së komunikimeve.
Fatlume Dervishi
Loading…