Paraqitja e Shqipërisë ndër vite në ‘Eurovision’

Paraqitja e Shqipërisë ndër vite në ‘Eurovision’
12:49 | 17 Maj 2019

A do të mund Jonida Maliqi ta arrijë suksesin që patën Anjeza Shahini dhe Rona Nishliu? 

Eurovision është një prej festivaleve më prestigjioze të muzikës, i cila daton qysh prej vitit 1956.

Ishte zvicerani Marcel Bezençon që aso kohe shpalosi idenë për krijimin e një festivali muzikor të formatit si ‘Eurovision’, shkruan lajmi.net.

Por shteti i Shqipërisë filloi të marrë pjesë në këtë garë muzikore vetëm 15 vite më parë.

Anjeza Shahini ishte këngëtarja që filloi rrugëtimin e Shqipërisë në këtë festival evropian, pas triumfit të saj në kompeticionin ‘Ethet e së premtes’ u kuptua se Anjeza do të jetë përfaqësuesja e parë shqiptare në ‘Eurovision’.

Në vitin 2004, në qytetin e Stambollit, këngëtarja bëri hapin e parë të madh të Shqipërisë në këtë garë, me këngën ‘The image of you’.

Anjeza zuri vendin e shtatë në ‘Eurovision’, sukses ky i pa diskutueshëm për një shtet që ka bërë vetëm përpjekjen e parë në një kompeticion të tillë.

Emra të mëdhenj për muzikën shqiptare si Frederik Ndoci, Kejsi Tola, Juliana Pasha dhe Aurela Gace bënë përpjekjet e tyre për ta arritur të paktën suksesin që Anjeza pati, por pa sukses.

Prej suksesit të Anjeza Shahinit, Shqipëria mori pjesë në festival vetëm si një garues modest deri në vitin 2012. Vit ky ku në skenë u shfaq këngëtarja nga Kosova që mburri të gjithë shqiptarët me paraqitjen e saj në Baku.

Prej momentit kur u kuptua se Rona Nishliu do të jetë përfaqësuesja e Shqipërisë në vitin 2012 në Eurovision, në publikun shqiptar mbizotëronte optimizmi se ky është viti që kombi shqiptar do t’i përmbushë pritshmërinë , prej suksesit të Anjezës.

Me super këngën ‘Suus’ këngëtarja kaloi suksesin që Shqipëria pati në vitin 2004, vendi i pestë sot është suksesi më i madh i Shqipërisë në këtë kompeticion.

Tash e shtatë vite Shqipëria po mundohet ta ripërsëris suksesin e dy këngëtareve të lartpërmendura, por pa sukses.

Në edicionin e sivjetshëm, këngëtarja shqiptare Jonida Maliqi me këngën ‘Ktheju Tokës’, arriti një vend në finalen e madhe, që do të mbahet me 18 maj në Tel Aviv. Energjia që ajo po përshkon tek publiku të jep ndjesinë që edhe ky vit do të shkruaj sukses në historinë e Shqipërisë në ‘Eurovision’. /Lajmi.net/

TAGS