Partia Demokratike e Kosovës e sulmon me një komunikatë për media Gazetën Express: Mos e lexoni këtë medium

Partia Demokratike e Kosovës e sulmon me një komunikatë për media Gazetën Express: Mos e lexoni këtë medium

Ky subjekt politik tash e disa kohë është duke e bojkotuar televizionin T7 dhe Gazetën Express. Mirëpo kjo komunikatë publike e këtij subjekti është e pashembullt në Kosovën e pasluftës

PDK e Kadri Veselit ka lëshuar para pak çastesh një deklaratë, në të cilën sulmon Gazetën Express. Kjo organizatë ju bën thirrje votueseve të vetë që t’i marrin me rezervë lajmet e Expressit, pavarësisht se asnjë prej shkrimeve tona kjo organizatë nuk ka arritur asnjë herë ta demantojë. Ky është një rast i paprecedent.

Komunikata e PDK’së:

Zgjedhjet po afrohen, fushata elektorale ka filluar dhe bashkë me të lajmet e rreme dhe të porositura. Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart rolin e mediave në demokracinë e Kosovës dhe mbron bindshëm lirinë e fjalës. Madje, i respekton mediat edhe kur ato kanë anësi politike. Por, nuk do të pranojë manipulimin me lajme të rreme nga Gazeta Express.

Kjo web-faqe tashmë një kohë është futur në këtë valle me mision të qartë të goditjes së PDK-së me një armiqësi të pakuptueshme. Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i marrin me rezervë lajmet e Gazetës Express.

Zgjedhjet në Kosovë duhet të jenë festë, qytetarët duhet të zgjedhin më të mirën. Partia Demokratike e Kosovës, pavarësisht çfarëdo koalicioni që bëjnë partitë tjera, ka për qëllim që nga këto zgjedhje të fitojë Kosova dhe Kosova fiton vetëm me PDK-në.

Me këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës përsërit edhe një herë, në mënyrë të vendosur dhe pa ekuivok, se kandidati i vetëm për Kryeministër është Kadri Veseli.

Kadri Veseli me vullnetin e qytetarëve do të jetë Kryeministër i Republikës së Kosovës. Në Qeverinë e ardhshme, me Kryeministër Kadri Veselin, lufta ndaj korrupsionit do të jetë pa kompromis dhe mediat e lira e vërtet profesionale të Kosovës do të jenë aleate në përpjekjet për të garantuar sundimin e ligjit dhe një të ardhme më të mirë për rininë e Kosovës.